Lideri armen i kërkon ndihmë Putinit për të burgosurit e luftës në Azerbajxhan

schedule22:10 - 7 Prill, 2021

schedule 22:10 - 7 Prill, 2021

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian i ka kërkuar presidentit rus Vladimir Putin ndihmë sa i përket lirimit të dhjetëra të burgosurve të luftës, të cilët janë zënë nga Azerbajxhani, në konfliktin e fundit për rajonin e Nagorno-Karabakut.

Duke folur më 7 prill gjatë një udhëtimi në Moskë, Pashianian ka thënë se Armenia është e interesuar në blerjen e më shumë vaksinave ruse kundër koronavirusit, Sputnik V.

Në vjeshtë të vitit të kaluar, Armenia dhe Azerbajxhani janë përballur me njëra-tjetrën për rajonin e Nagorno-Karabakut, territor që ndërkombëtarisht njihet si territor i Azerbajxhanit, mirëpo është kontrolluar nga armenët etnikë prej viteve 1990.

Gjashtë javët e luftimeve kanë përfunduar me armëpushim nga ana e Rusisë, sipas së cilit Nagorno-Karabaku dhe shtatë rajone të afërta kanë rënë nën administrimin e Azerbajxhanit, pas më shumë se 30 vjetëve të kontrollimit nga forcat etnike armene.

Marrëveshja ka rezultuar edhe me angazhim të pothuajse 2,000 trupave paqeruajtëse armene në linjë të frontit.

Ende nuk ka të dhëna zyrtarë se sa ushtarë armenë janë duke u mbajtur në Azerbajxhan, mirëpo agjencia e lajmeve RBC ka thënë se rreth 140 armenë po mbahen ende në këtë shtet.

“Do të doja të theksoja se në këtë kontest është një çështje shumë e rëndësishme që nuk është zgjidhur ende. Janë në pyetje të burgosurit e luftës, të mbajturit peng dhe të ndaluarit tjerë”, i ka thënë Pashinian Putinit.

Udhëtimi i Pashinianit në Moskë ka ardhur teksa Armenia përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të nxitura nga opozita, e cila i kërkon kryeministrit dorëheqje për shkak të mënyrës si ka menaxhuar luftën me Azerbajxhanin./REL