Liderët e BE-së ende pa marrëveshje për postet kryesore

schedule11:06 - 18 Qershor, 2024

schedule 11:06 - 18 Qershor, 2024

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) nuk u pajtuan për emërimin e drejtuesve të rinj të institucioneve evropiane, në takimin e tyre më 17 qershor.

Mungesa e marrëveshjes u konfirmua nga presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Është detyra jonë që deri në fund të qershorit të biem dakord për kandidatët për postet kryesore në BE dhe agjendën strategjike”, tha Michel në fund të darkës së punës së liderëve evropianë.

Liderët u mblodhën mbrëmjen e së hënës në Bruksel, në përpjekjen e parë për të arritur një marrëveshje për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së, Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, dhe emrin e ri në pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Kandidatura e shefes së deritashme të BE-së, Ursula von der Leyen, është e sigurt, por tani liderët e bllokut janë në kërkim të emrave të rinj për pozitat që kanë mbajtur Charles Michel dhe Josep Borrell.

Emrat që kanë shanset më të mëdha për këto poste, sipas informacioneve jozyrtare, është ai i ish-kryeministrit të Portugalisë Antonio Costa, për pozitën e presidentit të Këshillit Evropian dhe ai i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas për pozitën e kryediplomates së BE-së.

Ky ishte takimi i parë i liderëve evropianë, pas zgjedhjeve të mbajtura në vendet anëtare të BE-së, më 6-9 qershor dhe mendohej se do të ishte ndër samitet më të lehta të BE-së.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!