Presidenti amerikan Donald Trump dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë uruar muslimanët në të gjithë botën me rastin e ardhjes së muajit të bekuar të Ramazanit.
Në mesazhin e tij të lëshuar me rastin e Ramazanit, Trump ka thënë se ky muaj është një mundësi për miliona muslimanë në gjithë botën në ripërtërirjen në rrugëtimin e tyre shpirtëror dhe forcimin e besimit, duke agjëruar, duke lexuar Kuran, duke ndihmuar ata që kanë nevojë dhe duke bërë mirësi.
“U uroj muslimanëve në SHBA dhe në gjithë botën një Ramazan të bereqetshëm dhe paqësor. Në këtë ditë kur fillon muaji i bekuar i Ramazanit, unë lutem që ata që besojnë në këtë kohë të shenjtë të jenë të qetë dhe të ripërtërijnë besimin e tyre. Me fat Ramazani”, ka thënë presidenti amerikan.
Një mesazh urimi për fillimin e muajit të bekuar të Ramazanit e ka dhënë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.
“Të dashur muslimanë, ju përcjell urimet e mia me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. Ju uroj një periudhë të qetë, të bekuar dhe të shëndetshme me familjet tuaja”, tha kancelarja Merkel. /abcnews.al