Licencimet për Europën, ekspertët porosisin klubet e Superiores

schedule15:52 - 12 Dhjetor, 2019

schedule 15:52 - 12 Dhjetor, 2019

Klubet e Superiores, si dhe përfaqësues të Vllaznisë dhe Apolonisë për femra, kanë marrë pjesë në seminarin e zhvilluar për licencimet në kompeticionet e UEFA-s. FSHF kishte ftuar edhe dy specialistë të fushës: Daniele Bernardi, Menaxheri i Licencimeve për klubet në UEFA dhe Alexis Angelopoulos, specialist pranë Sektorit të Licencimit të klubeve në UEFA.

Ata trajtuan raste konkrete të mënyrës së plotësimit të dokumentacionit, për pesë kriteret bazë të licencimit.  FSHF njofton se pikë e rëndësishme e seminarit ishte njohja e përfaqësuesve të klubeve me të gjithë risitë që ka sjellë UEFA në këtë proces, si dhe ecurinë në nivel europian për 55 Federata nga viti 2014, ku është vërejtur një rritje e problemeve në lidhje me pagesën e taksave dhe pagesat e prapambetura.

Në njoftimin e FSHF thuhet se këto dy çështje ishin problematika më e ndjeshme që ekspertët kishin ndeshur në këto 5 vitet e fundit, si dhe sugjeruan klubet që jenë të kujdesshëm në shpenzimet e tyre. Këshilla ishte që zërat e parashikuara për paga dhe detyrime fiskale, të mos preken.

Seminari vazhdoi edhe me anëtarët e trupave gjykuese të komisionit të licencimit, të komisionit të apelit si edhe ekspertët e kritereve, të cilët u njohën me eksperiencën e përfaqësuesve të UEFA-s, mbi shqyrtimin e dosjeve të aplikantëve dhe menaxhimin me sukses të të gjithë procesit, njofton FSHF.

Procesi licencimit  do të vazhdojë me një tjetër seminar me specialistët e pesë kritereve, si dhe me takimet dypalëshe me secilin klub kandidat. Në këto takime do të jetë i pranishëm Menaxheri Licensimit dhe ekspertët e pesë kritereve, për të parë nga afër situatën pranë çdo klubi dhe për të dhënë sugjerimet e tyre mbi përmirësimin e situatës. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!