Përkeqësohet situata në Libi ku numri i të vrarëve ka shkuar në 220, ndërsa janë me mijëra të pastrehët. Lufta civile e shpërthyer në Libi ka bërë të pamundur transferimin në zona të sigurta të civilëve dhe personelit mjekësor.
Arrin në 220 numri i viktimave dhe 1.066 të plagosur si pasojë e përplasjeve të dhunshme mes militantëve rivalë në Tripoli. Lajmi është konfirmuar nga organizata botërore e shëndetësisë e cila shton se mes viktimave ka dhe fëmijë, gra si dhe vullnetarë.
Janë të paktën 30.200 të pastrehët që nga fillimi i përplasjeve të armatosura në Tripoli dhe në rrethina. Kësaj here deklarata vjen nga zyra e Kombeve të Bashkuara për çështjet humanitare në një përditësim të situatës në periferitë e kryeqytetit të Libisë.
Në raport theksohet se ka shumë shqetësim për sa i përket shkeljes së të drejtave ndërkombëtare të njeriut si pasojë e sulmeve kundër civilëve dhe strukturave e personelit mjekësor. Janë gjithnjë e më shumë zonat e prekura nga sulmet me raketa dhe mortaja. Prioritet mbetet mbrojtja e personave të prekur nga konflikti dhe transferimi i tyre në zona më të sigurta, si dhe negocimi i një paqeje humanitare duke vendosur pika të sigurta kalimi për civilët dhe personelin mjekësor./abcnews.al