Mbrëmjen e djeshme nga Pogradeci, ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi se janë mbledhur 4200 firma për Kuvendin Kombëtar dhe do të dorëzohen ditën e sotme në selinë blu.
E gjithë vëmendja është përqendruar në PD, por deri në orën 15:00 ende nuk është dorëzuar dosja me firmat mbi të cilat Sali Berisha kërkon thirrjen e strukturave më të larta të PD-së.
Gazetari i ABC, Juxhin Mustafaraj mëson se paradite ish-kryeministri ka zhvilluar disa takime me bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe pasdite pritet që të dorëzohen firmat.
Por cilat janë rrugët që do të ndiqen? Mbetet për t’u parë nëse firmat do të dërgohen në rrugë elektronike përmes postës apo fizikisht.
E sigurt është që firmat do të dërgohen sonte pasi në të kundërt rrezikohet skenari i Sali Berishës për të mbledhur Kuvendin në 11 Dhjetor, sikur e ka paralajmëruar.
Statuti i PD-së parashikon që Kuvendi thirret jo më pak se një muaj nga momenti i dorëzimit të firmave. Kështu që firmat duhet të dorëzohen sot, brenda datës 10 nëntor.
Pas dorëzimit të firmave pritet që Sali Berisha të mbajë një konferencë për mediat në orën 19:00, ndërkohë që nga selia blu parashikohet një sqarim nga Gazment Bardhi në lidhje me rrugëtimin që do të ndjekin firmat, procedurat./ Abcnews.al

