Në prag të vizitës në Gjermani, që synon ripërtëritjen e marrëdhënieve, presidenti turk Erdogan i ka kërkuar Berlinit të sanksionojë lëvizjen e klerikut Gulen, të cilin e konsideron përgjegjës për grushtin e shtetit të vitit 2016.
Në prag të vizitës në Berlin, presidenti turk Recep Taip Erdogan i ka bërë thirrje Gjermanisë që të shpallë lëvizjen e klerikut Fetullah Gylen një organizatë terroriste. Përmes një artikulli të publikuar në edicionin online të “Frankfurter Algemajne Cajtung”, Erdogan ka deklaruar se dy vendet, të cilat i ka cilësuar aleate, duhet gjithashtu të parandalojnë politikat e papërgjegjshme të Shteteve të Bashkuara, të cilat mund të çojnë në ashpërsimin e luftës tregtare. Erdogan e konsideron lëvizjen Gylen përgjegjëse për organizimin e grushtit të shtetit të vitit 2016. Pas trazirave që përfshinë Turqinë asokohe, Ankaraja kërkoi ekstradimin e klerikut nga Shtetet e Bashkuara, por këto të fundit refuzuan. Sa i takon marrëdhënieve me Gjermaninë, ato u cënuan pas represionit të qeverisë turke ndaj të dyshuarve për grushtin e shtetit, që çoi edhe në arrestimin e disa gazetarëve gjermanë. Me vizitën në Berlin, Erdogan synon të ripërtërijë marrëdhëniet me vendin që deri para pak vitesh ishte një ndër partnerët tregtarë kryesorë të Turqisë. Ai do të pritet në një takim nga presidenti i Gjermanisë, por jo nga kancelarja Angela Merkel. Pak ditë më parë, ministri gjerman i Financave deklaroi se Gjermania nuk ka ndërmend të ndihmojë financiarisht Turqinë. /abcnews.al