Lëvizja e fundit, SPAK dhe BKH u fusin të dridhurat zyrtarëve të korruptuar (VENDIMI)

schedule18:07 - 9 Korrik, 2021

schedule 18:07 - 9 Korrik, 2021

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) nga sot e kanë më të lehtë të hetojnë zyrtarët e lartë që kanë pasuri të pajustifikuara.

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim shumë të rëndësishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Në mbledhjen e djeshme qeveria ka vendosur që të miratojë listën e institucioneve që u lejohet akses i plotë dhe i menjëhershëm dhe i pafiltruar në të dhënat e regjistrit të llogarive bankare në bazën e të dhënave qendrore.

Kështu institucionet e reja të drejtësisë, SPAK dhe BKH, por edhe SHISH tashmë do të kenë në dorë të gjithë informacionin e mundshëm për llogaritë bankare të qytetarëve.

Subjektet e interesuara si më poshtë:

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave;

Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm;

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;

Byroja Kombëtare e Hetimit;

Shërbimi Informativ i Shtetit;

kanë akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, nëpërmjet përdoruesve të aurorizuar prej tyre” thuhet ndër të tjera në vendimin e qeverisë.

VENDIMI I PLOTE

RREGULLAT E AKSESIT TË SUBJEKTEVE TË INTERESUARA NË BAZËN E TË DHËNAVE TË REGJISTRIT QENDROR TË LLOGARIVE BANKARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 5, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë nivelin e aksesimit të subjekteve të interesuara, të përcaktuara në pikën 10, të nenit 4, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, në bazën e të dhënave shtetërore, Regjistri Qendror i Llogarive Bankare dhe i kasetave të sigurisë, në vijim Regjistri, në përputhje me parashikimet e nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, si dhe të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr.945, datë 2.11.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Administrimi i sistemit të bazave të të dhënave shtetërore””, të ndryshuar.

2. Në përputhje me nenin 6, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit garantojnë funksionimin normal, pa ndërprerje të Regjistrit Qendror të Llogarive Bankare dhe i kasetave të sigurisë.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve garanton funksionimin e përditësuar të Regjistrit Qendror të Llogarive Bankare dhe i kasetave të sigurisë.

4. Institucionet financiare janë përgjegjëse për saktësinë dhe plotësinë e të dhënave të raportuara në Regjistër.

II. KRITERET PËR PËRDORIMIN E REGJISTRIT DHE AKSESIN PËR PËRDORUESIT

1. Aksesi i subjekteve të interesuara në regjistrin qendror të llogarive bankare kryhet drejtpërdrejtë në mënyrë elektronike përmes të dhënave për përdoruesin dhe kodin hyrës.

2. Subjektet e interesuara, sipas pikës 10, të nenit 4, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, përcaktojnë përdoruesit që do të kenë akses në të dhënat e këtij Regjistri, bazuar në kriterin nevojë për njohje.

3. Kërkesa me shkrim për pajisjen me kodin hyrës i paraqitet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke bashkëlidhur për secilin përdorues të dhënat sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pajis me kod hyrës secilin përdorues brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e kërkesës me shkrim.

5. Kodet hyrëse nuk mund t’u bëhen të ditur personave të tretë, të ndryshëm nga përdoruesit.

6. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimi Informativ i Shtetit paraqesin kërkesë për pajisje me kodet hyrëse pa zbuluar identitetin e përdoruesit. Në këtë kuptim, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimi Informativ i Shtetit do të jenë mbajtës/përgjegjës të kodeve hyrëse dhe me akt të brendshëm duhet të bëjnë identifikimin e kodit me përdoruesin.

7. Përdoruesit duhet të përdorin të dhënat e përfituara nga regjistri vetëm për qëllime të përmbushjes së detyrave funksionale, duke zbatuar legjislacionin në fuqi.

8. Ekstrakti i rezultatit të kërkimit në regjistër mundësohet on-line menjëherë dhe mund të shkarkohet apo të printohet nga përdoruesit i firmosur në mënyrë digjitale nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

9. Subjektet e interesuara i ruajnë të dhënat e mbledhura nga regjistri, jo më gjatë sesa koha e parashikuar në nenin 11, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

10. Regjistri aksesohet vetëm nga përdoruesit të subjekteve të interesuara.

III. LLOJI I TË DHËNAVE TË AKSESUESHME NGA PERDORUESIT E AUTORIZUAR NGA SUBJEKTET E INTERESUARA

1. Subjektet e interesuara si më poshtë:

a) Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave;
b) Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm;
c) Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
ç) Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
d) Byroja Kombëtare e Hetimit;
dh) Shërbimi Informativ i Shtetit;

kanë akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, nëpërmjet përdoruesve të aurorizuar prej tyre.

2. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave nëpërmjet përdoruesve të aurorizuar ka akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, përveç të dhënave sipas pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në ushtrim të funksioneve të saj për mbledhjen e të ardhurave nëpërmjet personave të autorizuar, ka akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pa filtruar në të dhënat e regjistrit.

4. Drejtoritë e taksave dhe të tarifave pranë njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme të Doganave, nëpërmjet përdoruesve të aurorizuar prej tyre, kanë akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, përveç të dhënave:

a) sipas pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”;
b) sipas shkronjave “e”, “ë”, “f” dhe “g”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

5. Subjektet e interesuara nuk kanë kufizime në numrin e personave që mund të autorizohen për të pasur akses në Regjistër, por kanë kufizime në kategorinë e punonjësve që mund të autorizojnë, më konkretisht:

a) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimin Informativ të Shtetit, përdoruesit e autorizuar trajtohen sipas pikës 6, të kreut II, të këtij vendimi;
b) Për Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, përdoruesit e autorizuar janë vetëm prokurorët dhe punonjësit që sipas ligjit gëzojnë statusin e oficerit të policisë gjyqësore, pa përfshirë administratën;
c) Për Inspektoratin i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave përdoruesit e autorizuar janë vetëm inspektorët, të cilët janë përgjegjës për kontrollin e pasurisë, pa përfshirë administratën;
ç) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në ushtrim të funksioneve të saj për mbledhjen e të ardhurave, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara, kontrollin e specializuar dhe hetimin tatimor, pa përfshirë administratën;
d) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore mbledhjen e detyrimeve dhe hetimin doganor, pa përfshirë administratën;
dh) Për drejtoritë e taksave dhe tarifave pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore mbledhjen e detyrimeve, pa përfshirë administratën;
e) Për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përdoruesit e autorizuar janë vetëm punonjësit sipas strukturës së miratuar, të cilët kanë në fushën e përgjegjësisë shtetërore krimin ekonomik dhe financiar, financimin e terrorizmit dhe gjurmimin e aseteve.

6. Nëse subjektet e interesuara konstatojnë se të dhënat e raportuara apo të mbajtura në Regjistër janë të pasakta apo të paplota, njoftojnë pa vonesë njësinë përgjegjëse për Regjistrin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

7. Institucionet financiare nuk raportojnë të dhëna për gjëndjen e llogarive bankare dhe përmbajtjen e kastave të sigurisë, me përjashtim të rasteve ku përcaktohet me vendim gjyqësor.

8. Regjistri mundëson edhe kërkim historik në të dhënat e regjistrit të mbledhura sipas nenit 8, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Subjektet e interesuara njoftojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në rastet kur punonjësit e autorizuar për akses në këtë Regjistër pezullohen apo largohen nga detyra. Njoftimi bëhet brenda 24 orëve nga pezullimi apo largimi i punonjësit nga institucioni përkatës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, menjëherë, por jo më vonë se 48 orë nga marrja e njoftimit, realizon bllokimin e kodeve hyrëse për punonjësit përkatës.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, apo çdo person tjetër i përfshirë në krijimin, mirëmbajtjen apo administrimin e Regjistrit, nuk mund të gjurmojnë apo prodhojnë raporte për aktivitetin e kërkimit dhe përdorimit të këtij Regjistri nga subjektet e interesuara të përcaktuara në pikën 10, të nenit 4, të ligjit nr.154/2020, “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, përveç rasteve kur një raport i tillë kërkohet nga vetë këto institucione.

3. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!