Levandovski protagonisti kryesor në fitoren e Bajernit

schedule15:17 - 13 Gusht, 2018

schedule 15:17 - 13 Gusht, 2018

Robert Levandovski vendosi një rekord golash në finalen e Superkupës së Gjermanisë. Sulmuesi polak ishte protagonisti kryesor në fitoren e Bajernit.

Bëri rokadë me skuadrat, por sërish ia doli mbanë. Niko Kovaç ishte përsëri trajner fitues, duke marrë trofeun e parë me Bajernin, Superkupën e Gjermanisë. Kroati mposhti 5-0 Ajntrahtin e Frankfurtit, pikërisht në stadiumin e tij “Komercbank Arena”, ndërsa në maj, në stolin e Frankfurtit fitoi Kupën e Gjermanisë luajtur në Berlin ndaj Bajernit. Bavarezët nuk patën vështirësinë më të vogël duke realizuar edhe një hakmarrje për disfatën e finales së Kupës, ndërsa Robert Levandovski vendosi një rekord.

Asnjëherë më parë nuk ishin shënuar 3 gola në finalen e Superkupës, dhe sulmuesi polak i Bajernit u bë i pari që ia arrin. Edhe pse mund të quhet i pakënaqur për shkak se do të donte të ishte tek Reali i Madridit, Levandovski luajti si profesionist i vërtetë, duke bërë detyrën. Ai ishte, madje autor i tre rrjetave të para të ndeshjes, duke qenë vendimtar për fitimin e Superkupës.

Përveç tij, realizuan edhe Kingsli Koman e Tiago Alkantara, me formacionin bavarez që u shfaq sërish si favorit i sezonit gjerman, për çdo konkurrim. Trajneri Kovaç fitoi trofeun e dytë personal në këtë profesion, ndërsa për Bajernin ishte Superkupa e 7-të kombëtare. Skuadra nga Mynihu ka tani 59 tituj në Gjermani, duke qenë rekordmen në çdo kategori, si dhe ka plot 80 suksese gjithsej, duke përfshirë edhe trofetë ndërkombëtarë./abcnews.al