Letra sekrete e Hysni Kapos: Kush është ky Jemin Gjana, që nuk heqë antenën e TV Jugosllavisë

schedule08:32 - 5 Maj, 2021

schedule 08:32 - 5 Maj, 2021

Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat i përkasin fillimit të vitit 1973, ku ndodhet një korespondencë në mes Komitetit të Partisë së rrethit të Kukësit dhe Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku bëhet fjalë lidhur me dy ngjarje të rënda të ndodhura në atë kohë në fshatin Vlahen, ku kooperativisti Lush Sokoli me biografi të keqe, gjatë mbledhjes “ku po punohej fjalimi i shokut Enver”, i tha sekretarit të Partisë: “Unë nuk mundem ta kritikoj Enverin, prandaj po flas për vete”. Si dhe ngjarja tjetër e ndodhur në Minierën e Gjegjanit, ku shefi i llogarisë së minierës, Jemin Gjana, nuk pranoi të hiqte nga salla e kulturës antenën që merrte sinjalin për televizionin e Jugosllavisë, duke thënë se: “Edhe copash të më bëni, unë nuk e heq atë”. Të gjitha raport-informacionet e Komitetit të Partisë së rrethit të Kukësit për Komitetin Qëndror dhe shënimet e Hysni Kapos, që morri nën mbrojtje Jemin Gjanë, pasi atë e pushuan nga puna dhe e dërguan në prodhim për “kalitje dhe edukim”?!

Pas fjalës së Enver Hoxhës të mbajtur në aparatin e Presidiumit të Kuvëndit Popullor të Shqipërisë më datën 9 janar të vitit 1973, vetëm pak ditë pasi kishte përfunduar Festivali i 11-të Kombëtar i Këngës në Radio-Televizon si dhe diskutimit të tij në mbledhjen e zgjeruar të komunistëve të organizatës bazë të partisë së Komitetit Qëndror të PPSH-së (më datat 15 dhe 16 mars të po atij viti) me temë: “Lufta kundër shfaqjeve të huaja në art e kulturë dhe ndikimi i tyre në të gjithë jetën e vendit”, ku ai për herë të parë kritikoi publikisht Festivalin e 11-të të Këngës, duke bërë përgjegjës kryesorë Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin, në të gjitha institucionet kryesore artistike dhe kulturore të vendit, u mbajtën një sërë mbledhjesh të gjata me analiza, kritika, autokritika, denoncime dhe diskutime të pafundme. Ato vazhduan deri në fundin e muajt qershor të atij viti, kur dhe u mbajt Plenumi i 4-të i Komitetit Qëndror të PPSH-së, që u zhvillua vetëm për të marrë në analizë artin e kulturën dhe për të dënuar përgjegjësit kryesor, siç u konsideruan Todo Lubonja dhe Fadil Paçarmi.

Por ndërkohë, që nga janari i atij viti kur Enver Hoxha foli për herë të parë për problemet e artit e kulturës dhe shfaqjet e huaja dhe liberale që ishin vënë re aty, me porosi nga Komiteti Qëndror i PPSH-së, Komitetet e Partisë në rrethe dhe të gjitha organizatat bazë, lëshuar direktivën që të hiqeshin të gjitha antenat stacioneve të huaja televizive, që shërbenin për marrjen e sinjaleve të tyre, siç ishin në atë kohë ato të Jugosllavisë e Italisë që shikoheshin kryesisht në Veri të vendit (por edhe në pjesën më të madhe të territorit shqiptar), si dhe ato të Greqisë në Jug të vendit. E gjitha kjo u bë pasi në fjalën e tij, Enver Hoxha kishte theksuar se: “Festivali i 11-të i Këngës ishte një imitim i festivaleve italiane, me muzikën e shthurur e moderne, prej nga këngëtart tanë kanë imituar edhe veshjet e tyre ekstravagante dhe flokët e gjata” etj. Pas kësaj, nga sektori i Propagandës së Komitetit Qëndror të PPSH-së, që drejtohej nga Ramiz Alia, si veprim i parë u ndërmorr heqja e antenave televizive të stacioneve të huaja. Kjo gjë që asokohe u quajt “një aksion politik”, nga ku si rezultat për një kohë të shkurtër u arrit të hiqeshin të gjitha antenat e “Jugosllavit dhe Italiant” nga tarracat e pallateve dhe çatitë e shtëpive, bëri që stacionet e huaja televizive të shikoheshin fshehurazi nga të gjitha familjet shqiptare, gjë e cila do të vazhdonte pa ndonjë problem deri në shembjen e regjimit komunist. Por në atë kohë, pra që nga fillimi i vitit 1973, kur filloi “aksioni masiv” për heqjen e antenave të stacioneve të huaja televizive, pati tek tuk edhe kundërshtime të hapura nga individë të ndryshëm, që nuk pranuan t’i hiqnin ato. Lidhur me këtë, bëhet fjalë edhe në këto dokumente arkivore që Memorie.al i publikon të plota dhe për herë të parë edhe me faksimilet përkatëse.

Letra e parë e Komitetit të Partisë së rrethit të Kukësit, për Komitetin Qëndror të PPSH-së

PARTIJA E PUNËS E SHQIPËRISË “SEKRET”

KOMITETI I PARTISË SË RRETHIT Ekzemp. Nr. 1

K U K Ë S

Nr. 259 Kukës më 3.4.1973

KOMITETIT QËNDROR TË PARTISË PUNËS SHQIPËRISË

(Grupit të Informacionit)

T I R A N E

Bashkangjitur në këtë shkresë, po ju dërgojmë informacionin mbi veprimtarinë e qytetarit Emin Gjanës.

I N F O R M A C I O N

Komiteti i Partisë së rrethit, në vargun e masave në luftën kundër ndikimeve të huaja, në datën 22 mars porositi të gjithë sekretarët e organizatave bazë të Partisë, që të heqin në klubet dhe institucionet e ndryshme të gjitha antenat përforcues të televizionit Jugosllav.

Në zbatim të kësaj porosie, sekretari i byrosë së Partisë së Minierës, Gjegjan, Enver Metollari, hoqi antenën që merrte sinjalet e televizorit të huaj.

Me t’u hequr antenna, Jemin Gjana, pa dijeninë e askujt, shkon dhe e vendos përsëri antenën. Për këtë veprim që bëri ky, sekretari i organizatës së Partisë, e thërret Jemin Gjanën dhe i tërheq vëmendjen, pse ti e vendose përsëri antenën, kur neve urdhëruam që të vendosesh përsëri ajo, çfarë të shtyn ty të veprosh në kundërshtim me porositë e organizatës bazë të Partisë.

Ai i përgjigjet se “unë kështu ruaj pasurinë e popullit” dhe e bëj “për të mirën” e punëtorëve.

Nga sekretari i Partisë, i thuhet se: “ti kështu thyen disiplinën dhe nuk i shërben Partisë dhe popullit, prandaj të shkosh dhe ta heqësh antenën e televizorit”.

Në vend që Jemini të zbatonte porosinë e dhënë, ai i bën flet-rrufe sekretarit të byrosë së Partisë për presion dhe e ofendon se: ti je hajdut, ti shikon televizorin Jugosllav, se ti ke pasur babën xhandar, e mos të mëson ty si kështu, etj.

Më datën 23.III.1973, bëhet mbledhja e përgjithshme e komunistëve të Minierës. E thirrin të lartpërmendurin, por ai nuk pranon ta heq atë, bile sillet me mospërfillje edhe ndaj organizatës bazë të Partisë. Ai nuk bindet dhe thotë se: edhe copë të më bëni, unë nuk e heq atë. Shokët tanë shkojnë dhe e heqin.

Komiteti i Partisë së rrethit, për të analizuar këtë çështje, dërgoi në kolektiv anëtarin e byrosë së Partisë së rrethit, shokun Latif Potja. Para se të mblidhet kolektivi, thirret nga Latif Potja dhe i thuhet se: përse ti veprove kështu, përse e vendose antenën e televizorit Jugosllav në kundërshtim me porosinë që dha organizata bazë e Partisë? Ai nuk dha shpjegime, por i tha se: edhe ti mbron shokët e tu dhe me të dalë jashtë, i bën fletë-rrufe edhe anëtarit të byrosë së Partisë së rrethit, se ti mbron Enver Metollarin dhe se më ke bërë presion.

Më datën 24.III.1973, mblidhet kolektivi i Minierës, ku mblidhen 143 vetë. Gjatë analizës së këtij veprimi të Jemin Gjanës, kolektivi diskutoi më frymë të shëndoshë e dënoi këtë akt dhe i kërkoi llogari se: përse ti nuk zbaton porositë e Partisë, çfarë të shtyn ty të veprosh kështu, përse u kundërvihesh ty atyre. Edhe në kolektiv ai nuk reagoi. Ju kërkua që të japë shpjegime dhe llogari. Ai përsëri ishte në pozitat e para. Në kolektiv pati propozime që ai të shkojë dhe të punojë në prodhim që të kalitet, pati mendime që t’i jepet vërejtje.

Gjatë diskutimeve pati edhe disa që e mbronin, ose mbanin qëndrim indiferent, këtu kishte dhe ndonjë komunist. U vu në jetë propozimi i parë dhe nga 143 punëtorë, votuan 84 që ai të shkarkohet nga detyra dhe shkojë në prodhim për edukim dhe kalitje.

Vendimi i kolektivit është i drejtë, për këtë arsye u urdhërua që të pushohet dhe të shkoj në prodhim. Nga ana tjetër porositëm organet e drejtësisë që të shikohet çështja e përgjegjësisë penale. Jemin Gjana, pavarësisht se ka çfaqie psikopatie, ai ka sjellë edhe herë të tjera shqetësime politike. Qëndrimi politik i familjes së Jeminit nuk ka qenë i mirë.

Skjarimi i mëtejshëm i punëtorëve për këtë çështje po vazhdon.

Kukës, më 2/4/1973

SEKRETARI I KOMITETIT PARTISË SË RRETHIT

(Sinan Demhasa)

Letra e instruktorit të Komitetit Qendror, Hasan Selenica, për Hysni Kapon

Shokut Hysni

Shënim:

Në rrethin e Kukësit, siç ka dalë edhe nga informacionet e mëparshme, ka pasur reagime nga element të lëkundur dhe armiq, gjatë punimit të fjalës së shokut Enver.

Bisedova me shokun Izet dhe më tha se kanë marrë masa dhe krahas punës ideologjike e politike dhe demaskimin e tyre, disa raste po i ndjek edhe prokurorija për t’i bërë goditje.

Hasan Selenica

28.IV.1973

Shënimi i Hysni Kapos në letrën e instruktorit,Hasan Selenica, për ngjarjen e Kukësit

Gafurrit dhe Pirros

Për problemet armiqësore që më informojnë rrethet, të studjohen si duhet organizuar kundër propaganda.

Për elementët që thuhet se janë pa vend, sigurisht partia dhe pushtetit në rreth, t’u flasin që të mos mbetet puna t’u japin këtë përgjigje, por edhe qytetarët.

Hysni Kapo

Letra e dytë e Komitetit të Partisë së rrethit të Kukësit, për Komitetin Qëndror të PPSH-së

PARTIJA E PUNËS E SHQIPËRISË “SEKRET”

KOMITETI I PARTISË SË RRETHIT Extra Nr. 1

K U K Ë S

Nr. 326 Kukës më 29.4.1973

KOMITETIT QËNDROR TË PARTISË PUNËS SHQIPËRISË

(Grupit të Informacionit)

T i r a n ë

Lidhur me çështjen që ju kemi informuar me informacionin e datës 17.IV.1973 dhe atë të datës 2.IV.1973, për Shefin e llogarisë së Minierës, Jemin Gjanën, ju informojmë si më poshtë:

Në fshatin Vlahen të kooperativës buqësore Golaj të zonës së Hasit, kur është punuar fjalimi i fundit i shokut Enver në brigadë, qytetari Lush Sokoli ka thënë: “Unë që të kritikoj Enverin (shokun Enver), nuk ma merr mëndja, prandaj po foli për vete”.

Për të punuar fjalimin nga ana e byrosë së Partisë së kooperativës, ishte ngarkuar anëtari i saj, Bajram Kovaçi, komunist me nivel të ulët politico-ideologjik.

Përbërja politike e kësaj brigade nuk është e pastër.

Në 13 familje, pjestarët e të cilëve punojnë në këtë brigadë, 4 prej familjeve kanë pjestarë të arratisur, të burgosur politik, njëra prej të cilave është dhe familja e Lush Sokolit – vëllai I Lush Sokolit, Arif Sokoli, duke qenë sekretar I organizatës bazë, ka hyrë në veprimtari kundër-revolucionare në shërbim të revizionistëve Jugosllavë, për të cilën është dënuar rëndë, ai tani ka dalë nga burgu.

Informatën për Lush Sokolin na e dha një komunist tjetër dhe jo Bajram Kovaçi. Për të verifikuar çështjen dërguam një instruktor të Komitetit të Partisë së rrethit. Në takim me instruktorin, Lush Sokoli shpjegoi se unë e kam thënë – se anëtari i byrosë kështu ma shtroj pyetjen, d.m.th. – hajde kush ka për të kritikuar dhe unë thashë kështu.

Anëtari i byrosë nuk pranon që të ketë shtruar pyetje” Kush ka për të kritikuar”, por ka shtruar mendimin “hajdeni kush do të diskutojë, të kritikojmë veten dhe shokët”. Kuptohet se organizimi i dobët i diskutimit në këtë brigadë, ka lënë vend për provokacione politike dhe armiqësore.

Në takimin me instruktorin, Lush Sokoli shtroi edhe këtë: – E thashë këtë se detyrat që shtrohen në këtë fjalim janë të rënda, unë nuk punoj dot siç kërkohet”.

Si u veprua më tej qëndrimi i brigadës dhe i joni:

U mblodh brigade dhe u punua përsëri fjalimi I shokut Enver. Në brigadë u dërguan dy shokë të përgatitur, instruktori I Komitetit të Partisë së rrethit dhe kryetari I Kooperativës Buqësore. Kur u vu përpara përgjegjësisë, ai shtoi se “e kam bërë vetë nga budallallëku”, përgënjeshtroi thënien, sipas të cilit anëtari I byrosë shtroi pyetjen vetëm – kush ka për të “kritikuar” dhe mbasi u vu para përgjegjësisë se edhe herë të tjera si flet mbarë e mbrapsht, njeri i padisiplinuar, u detyrua të pranojë se ka gabuar.

Në mbledhjen e brigadës u diskutua edhe qëndrimi i vëllait të Lushit, i cili përpiqet ta quajë veten të mirë “të mirë” në rrethin e ngushtë. Edhe ky në brigadë deklaroi se “i jam borxhlli Partisë”.

Qëndrimi i brigadës ka qenë i mirë, bile qysh në fillim brigade ka shprehur mos-aprovim për shprehjet e Lush Sokolit. Me gjithë këtë, ka pasur qëndrime për ta zbutur, duke I quajtur shprehje të një budallai. Mirëpo këto qëndrime kanë ardhur nga element me qëndrime jo të mirë politike. Megjithë këtë, qëndrimin e brigadës ne e konsiderojmë pozitive.

Mendimi jonë është se shprehjet e këtij qytetari ne nuk I konsiderojmë aksidentale. Ato janë rrjedhim I qëndrimeve liberale ndaj disiplinës proletare dhe mos zbatimit të ligjishmërisë. Ai përpiqet indirekt, të thotë se gabimet janë bërë nga lart, nga udhëheqja. Kërkesat e fjalimit, “vështirësojnë” lirinë e kategorive të tilla njerzish.

Është e vërtetë se në disa njerëz të ç’thurrur të cilët janë kritikuar, ka dhe qëndrime arrogante. Pikërisht kundër këtyre qëndrimeve, u kemi kundërvënë forcën e masave, forcën e mendimit kolektiv. Në të gjitha rastet, mund të themi se kategoria e këtyre njerëzve e kanë parë veten ngushtë në këtë mënyrë.

Lidhur me Jemin Gjanën, ish – shefin e llogarisë së Minierës së Bakrit, Gjegjan.

Më datën 22 Mars 1973, Komiteti I Partisë së rrethit, duke studjuar fjalimin e shokut Enver, vendosi që të hiqeshin antenat që japin sinjale e televizorëve të stacioneve të huaja, në rastin tonë atë të Jugosllavisë. Porosia u dha që të hiqen antenat e televizorëve të këndeve të kuq të ndërmarrjeve, shtëpive dhe vatrave të kulturës dhe në salla të tjera të institucioneve, jo ato individuale, pa përgatitur opinionin shoqëror.

Në mbështetje të kësaj mase, u hoq antena e klubit të kulturës së Minierës së Gjegjanit, nën kujdesin e sekretarit të byrosë së Partisë së Minierës. Antena e televizionit të Minierës, ishte universale. Në kundërshtim me këtë masë, Jemin Gjana shkon dhe e rri vënë antenën. Më datën 23 Mars, bëhet mbledhja e përgjithshme e komunistëve të Minierës, për dhënie llogari e zgjedhje. Ata u njoftuan për këtë ngjarje. Për këtë arsye, komunistët kërkuan që të mos fillonte mbledhja pa hequr antenën. Këtë ja kërkuan Jeminit. Ai nuk pranoi kategorikisht. Në këto kushte, shkuan dy komunistë, hoqën antenën universale, deri sa të rregullohej antena individuale, për të marrë sinjalet vetëm për televizionin e Tiranës. Pra, antenna dhe televizori nuk ishin pasuri personale e Jeminit, por në shërbim të kolektivit të Minierës.

Pikërisht për këto arsye u mblodh kolektivi dhe propozoi që ai të shkonte në prodhim, masë të cilën e aprovuan edhe organet që e kishin në nomeklaturë. Ai tani punon si punëtor. Gjatë diskutimit për qëndrimin arrogant e provokonjës të tij, ai nuk la gjë pa trilluar në adresë të sekretarit të byrosë të Partisë, bile të sekretarit të Byrosë së Komitetit të Partisë së rrethit që u dërgua atje për të verifikuar dhe sqaruar çështjen. Prandaj, masa e marrë karshi tij na duket e drejtë dhe e matur.

Në këtë rast ka vetëm një gabim nga ana e sekretarit të Partisë së byrosë së Minierës, se para se të merresh masa për antenën, nuk i’a ka shpjeguar arsyet e heqjes së antenës. Mbas së cilës arsye, don të mbahet Jemni. Mirëpo edhe në këtë rast, ay nuk ka të drejtë, sepse nuk u ngarkua Jemini të hiqte antenën, por dikush tjetër.

Këto ishin sa për s’kjarime të hollësishme.

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT

Izet Dyrmishi

Letra e Hysni Kapos për Pirro Kondin dhe Gafur Çuçin

Gafurrit

Pirros

Çfarë është ky Jemin Gjana? Është kuadër? Është specialist? Apo punëtor i thjeshtë që rrin në shtëpinë e tij?

Antena është personale për televizorin e Jemin Gjanës, apo e ndërmarrjes? Nëse është personale, ahere duhet t’i hiqet me forcë? A duhet të proçedohet për këtë? Si i kemi dhënë ne udhëzimet?/Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!