Skënder Gega e ka nisur me një letër aventurën e tij në Jordani. Trajneri që riktheu sezonin e kaluar Partizanin te titulli pas 26 vitesh mungesë, mori disa ditë më parë drejtimin e Al Faisaly Amman. Trajneri 56-vjeçar do të presë edhe pak për të debutuar në stolin e skuadrës së re.
Koronavirusi ka paralizuar gjithçka dhe kampionatet janë pezulluar. Gega ka shkruar një letër për lojtarët e tij, duke i ftuar të kujdesen për veten dhe familjet e tyre, teksa klubi e ka postuar letrën e tropojanit në faqen zyrtare.
“Në këtë situatë të vështirë për të gjithë dua t’ju uroj ju, familjeve tuaja dhe miqve, shëndet dhe siguri. Si trajneri juaj i ri doja të kontrolloja dhe të sigurohesha se ishit të gjithë mirë. Në një kohë si kjo është thelbësore të kujdeseni për veten dhe familjet tuaja. Në të njëjtën kohë duhet të jemi optimistë se me ndihmën e Zotit gjërat do të kthehen në normalitet së shpejt.
Megjithëse e di që nuk është e lehtë, ju nxis të gjeni një mënyrë për të qenë në formën më të mirë fizike gjatë kësaj periudhe. Do të doja të ishim në fushë së bashku për tu stërvitur fort me besimin që të arrijmë objektivat dhe pritshmëritë e klubit dhe të tifozëve.
Ju lutem, sigurohuni që të kujdeseni për shëndetin tuaj dhe të mbani një regjim të fortë, sepse besoj se do t’i nisim sfidat tona shumë shpejt. Me solidaritet dhe me optimizëm të madh besoj se gjërat do të funksionojnë. Ju uroj më të mirat”, përfundon letrën e tij, Skënder Gega. /abcnews.al