Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

“Letra e një të panjohure”, novela kryevepër që “flet” shqip nga Vedat Kokona

schedule14:03 - 16 Prill, 2026

schedule 14:03 - 16 Prill, 2026

Në studion e ABC-së së Mëngjesit, botuesja Loreta Berhami sjell një nga veprat më prekëse të letërsisë botërore: Letra e një të panjohure nga mjeshtri i rrëfimit psikologjik Stefan Zweig, tashmë në shqip nga përkthyesi i madh Vedat Kokona dhe botuar nga Shtëpia Botuese Pegi.

Një letër pa emër, e mbërritur në ditëlindjen e një shkrimtari, hap një rrëfim të thellë dhe rrënqethës: historia e një gruaje që ka dashur në heshtje gjithë jetën. “Për ty, që nuk më njohë kurrë…” janë fjalët që çelin një botë emocionesh të përmbajtura, një dashuri të fshehtë, të pashpërblyer dhe të dhimbshme.

E shkruar në ditën më tragjike të jetës së saj, pas humbjes së fëmijës, letra bëhet dëshmi e një pasioni që nuk kërkoi kurrë përgjigje. Një ndjenjë e lindur që në adoleshencë, që u rrit në heshtje përballë një njeriu që nuk e vuri kurrë re.



Në këtë novelë, Stefan Zweig ndërton me finesë një psikogramë të jashtëzakonshme të shpirtit njerëzor, duke zbuluar thellësinë e vetmisë dhe fuqinë shkatërruese të dashurisë së njëanshme. Humanizmi dhe ndjeshmëria e tij e bëjnë këtë vepër një nga më të paharrueshmet e shekullit XX.

Jeta e autorit vetë mbart dramat e kohës: i detyruar të largohej nga Austria pas djegia e librave nga nazistët, ai endet mes Londrës, Nju Jorkut dhe Brazilit, ku i jep fund jetës së tij, duke lënë pas një trashëgimi letrare të jashtëzakonshme.

Falë mjeshtrisë së Vedat Kokonës, kjo histori vjen në shqip me të njëjtën ndjeshmëri dhe elegancë, duke e bërë “Letra e një të panjohure” një përjetim të thellë për çdo lexues shqiptar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!