Letërporositë dështojnë nisjen e procesit gjyqësor për “Habilajt”

schedule18:01 - 11 Qershor, 2019

schedule 18:01 - 11 Qershor, 2019

Mosnjoftimi i të pandehurve të grupit “Habilaj”, të cilët ndodhen në Itali, ka bërë që të shtyhet sërish seanca gjyqësore për këtë dosje te Krimet e Rënda. Më 13 Qershor Gjykata e Katanias në Itali pritet që të japë vendimin për 8 të pandehurit e grupit të Habilajve. Ndërsa më 19 Qershor në Tiranë nis procesi gjyqësor për Saimir Tahirin dhe 3 ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës.

Procesi gjyqësor për grupin e “Habilajve” në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dështuar sërish. Pranë togave të zeza nuk kanë mbërritur përgjigjet e letërporosive nga Italia për të faktuar se 8 të pandehurit që gjenden në vendin fqinj kanë marrë dijeni për nisjen e procesit gjyqësor në vendin tonë.

Drejtuesi i seancës Bibë Ndreca i kërkoi te pandehurit Armando Koçerrit të paraqesë zyrtarisht kërkesën e tij për mos lejimin e mediave audiovizive në sallën e gjyqit, të shoqëruar edhe me një dokument nga psikologu.

I pandehuri kishte paraqitur shqetësimin se fëmijët e tij të mitur kanë shfaqur probleme psikologjike duke e pare në media gjykimin e tij. Në këtë seancë mungonin edhe avokatët e të pandehurve, të cilët janë zgjedhur nga familjarët e tyre.

Në Shqipëri nga grupi i “Habilajve” ndodhet vetëm Armando Koçerri ndërsa Moisi Habilaj, Florjan Habilaj, Fatmir Minaj, Nezar Seiti, Sabaudin Çela i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Tigrens Mezuaraj, Maridjan Sulaj dhe Armando Sulaj po hetohen nga drejtësia italiane, ku pritet që më 13 Qershor Gjykata e Katanias të japë dhe vendimin.

Grupi “Habilajve” u godit në Tetor 2017 në përpjekje për të trafikuar një sasi të konsiderueshme droge nga Shqipëria në brigjet italiane. Hetimet në Shqipëri u hapën pas publikimeve në mediat e vendit fqinj të dosjes së përgjimeve të grupit “Habilaj”nga prokuroria italiane, ku ata përmendin edhe emrin e ish-ministrit Saimir Tahiri.

Për këtë të fundit dhe 3 zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila dosja është e ndarë dhe procesi pritet të nisë më 19 Qershor. Në këtë seancë do të vendoset nëse ish-ministrit të Brendshëm dhe Çelës do t’i pranohet kërkesa për gjykim të shkurtuar.

Në seancën paraprake gjyqtarja Miliana Muça ka rrëzuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të Sokol Bodes dhe Gjergji Kohilës. Grupi i “Habilajve” akuzohet për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit kriminal dhe krijimi i grupit kriminal./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!