Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të sillet si institucion politik dhe instrument i agjendave destabilizuese.
Ky është mesazhi që Kreu i BDI Ali Ahmeti ka dhënë përmes një letre publike, pas vendimit të Kushtetuese për të rishqyrtuar ligjin e Gjuhës që kufizon zbatimin e gjuhës shqipe në vendin fqinj.
Ai nënvizoi Marrëveshjen e Ohrit.
“Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi. E kam thënë dhe do ta përsëris pa asnjë rezervë: Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë të ardhmen e tij.”
Sipas Ahmetit kur këto parime ruhen dhe forcohen, shteti ecën përpara, kur ato relativizohen, hapen debate të panevojshme që nuk i shërbejnë askujt.
“Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë. Çdo tentativë për ta relativizuar apo kufizuar këtë të drejtë është një përballje e drejtpërdrejtë me rendin kushtetues dhe nuk do të kalojë pa përgjigje.”
Pëdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në RMV është rikthyer në qendër të debatit politik në vend pas reagimit të studentëve të jurisprudencës, të cilët kërkojnë që gjuha shqipe të vijoi të mbetet opsion për dhënien e provimit përfundimtar të avokaturës.
Gjuha shqipe është e garantuar, pra gjuhë zyrtare në përdorim të gjerë, por jo plotësisht e barabartë me maqedonishten në Kushtetutë.
Ligji i vitit 2019 e zgjeron përdorimin e saj, ndërsa aktualisht Kushtetuesja po shqyrton nëse ky ligj është në përputhje me Kushtetutën.
Debati kryesor është nëse për gjuhën shqipe duhet të ketë barazi të plotë apo status të kufizuar.


