Bashkëkryetarja demokrate e Komisionit të Reformës Territoriale, Dhurata Çupi ka shprehur skepticizmin e saj ndaj deklaratave të deputetëve të PS për lëshime për opozitën në reformën territoriale. Çështja administrative dhe fakti që mund të arrihet një kompromis i mundshëm në fund të punimeve të Komisionit parlamentar, i cili pritet që të prodhojë dhe një raport gjatë javës së ardhshme u diskutuan në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri.
Ndërkohë, bashkëkryetarja e këtij komisioni u shpreh që ‘nuk kam besim të deklaratat e deputeteve të PS, sot ndryshe, neser ndryshe, të jemi zyrtarë, reforma territorial administrative e vitit 2014 ishte e dështuar, ishte një reform e cila nuk u mbështet, dhe nuk kishte një konsultim të gjerë’. Sipas deputetes së PD, qëllimi kryesor i deputetevë të PS është marrja e zgjedhjeve në tavolinë, dhe tashmë duan të marrin dhe zgjedhjet e vitit 2023.
Dhurata Çupi u shpreh që më 30 shtator do të përmbyllet puna e komisionit me një raport të përbashkët. Sipas saj ‘ekspertët e opozitës kanë bërë gati materialin, materialin teknik, të ndarë në dy pjesë, ku pjesa e parë është një historik i detajuar dhe analizë e mungesave të reformës aktuale, dhe pjesa e dytë është parashikimi i një harte territoriale të rishikuar’.
Sipas saj ‘qytetarët duan të kenë reformë territorale, dhe bashki sa më pranë tyre, financa sa më pranë, si dhe të kontrollohet dhe menaxhohet territori mes tyre’. Ndër propozimet e bashkieve të reja të opozitës janë zona e Orikumit, Fushë Kruja, Sukthi, Ishmi, Maminas etj.
Deputetja e PD u shpreh që propozimet e PD për bashkitë e reja janë bazuar në të dhëna konkrete, me numër banorësh, me numër votuesish si dhe me buxhet dhe taksa që paguajnë dhe peshën që zënë. Sipas saj reforma territoriale do të behet, edhe me ndihmën dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.