Lera: Ne jemi një vend që nuk paguajmë shumë taksa, buxhetin e këtij shteti e mbajnë bizneset e mëdha

schedule21:19 - 16 Nëntor, 2022

schedule 21:19 - 16 Nëntor, 2022

Më 10 nëntor Kuvendi miratoi tre projektligjet e Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetin e vitit 2023 me 76 pro e 41 kundër.

Edhe 3 ndryshimet ligjore për Paketën Fiskale kanë marrë nga 76 vota pro, vota të gjitha të Partisë Socialiste.

Të ftuar në studion e emisionit “Bardh a Zi” në ABC, të moderuar nga Ornela Gaçe dhe Erion Kristo për të diskutuar lidhur me këtë temë ishin Drejtori i Ministrisë së Financave, Niko Lera, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka dhe Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi.

Lera tha se kur është hartuar paketa e re fiskale janë marrë parasysh edhe kërkesat e biznesit, por është e pamundur që të marrësh parasysh të gjitha kërkesat e tyre. Nga ana tjetër Jaka tha se asnjë nga kërkesat e tyre nuk është marrë parasysh.

Pjesë nga biseda:

Lera: Politikat nuk dizenjohen për të shkatërruar biznesin sepse biznesi është pjesë themelore e sipërmarrjes së lirë. Por të dëgjosh biznesin nuk do të thotë të marrësh në konsideratë çdo kërkesë të tyre. Nuk diskutohet pse nuk i morët parasysh kërkesat e biznesit, por diskutohet ky vend për çfarë nivel shpenzimesh ka nevojë. Taksapaguesit e këtij vendi a do të paguajnë taksa në mënyrë të tillë që shteti të mbulojë shpenzimet.

Jaka: Dhoma e Tregtisë dhe shoqatat e biznesit kanë reaguar menjëherë me një deklaratë për shtyp, të cilën ia kanë dërguar ministrisë së Financave, kryeministrit, mbrojtjes së sipërmarrjes dhe ministrisë së Bujqësisë. Nuk kemi pasur asnjë përgjigje.  Jam i bindur që nuk i kanë marrë fare në protokoll kërkesat që i kemi çuar.

Duke iu drejtuar zotit Lera, Jaka tha se vitin e kaluar është bërë një krim me të gjitha industritë prodhuese që përdorin gazin e lëngshëm.

Jaka: Ju vjet keni bërë një krim në ekonominë prodhuese që përdorin gazin e lëngshëm për fabrikat e tyre. Ju keni niveluar akcizën pa ia rimbursuar prodhimin.

Lera: Niveli i abuzimit kërkonte unifikimin e kësaj akcize. U ul nga 8 lekë për përdoruesit e vjetër, në 6 lekë për gjithë përdoruesit, sepse përjashtimet janë mundësi për abuzime. Ne duhet të shmangim sa më shumë abuzimet me taksat dhe tatimet sepse jemi buxhet i vogël.

Zusi: Ne nuk po kërkojmë që mos paguajmë taksa. Ne duam të japim taksa sepse e duam dhe policin që të na shërbejë, edhe administratën.

Lera: Buxhetin e këtij vendi e mbajnë bizneset e mëdha, jo të punësuarit. Ne nuk të gënjejmë veten dhe të themi jemi një vend që paguajmë shumë taksa. Ne nuk paguajmë shumë taksa./Abcnews.al/ 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!