Ermir Lenjani shënon një gol mjaft të rëndësishëm në Superligën e Zvicrës. Lojtari I kombëtares shqiptare i dha fitoren jashtë fushe, ekipit të tij, Sionit.
Janë harruar kohët e këqija kur fati nuk e ndihte aspak. Emir Lenjani, i vlerësuar nga ish-trajneri i kombëtares Xhani De Biazi edhe kur ishte pa skuadër, sot është ndër lojtarët më të mirë të Superligës së Zvicrës.
Futbollisti i kombëtares shqiptare, që do të bashkohet në grumbullim me ekipin për eliminatoret e Euro 2020-ës, realizoi golin e dytë personal në kampionat, dhe rrjetën e fitores për ekipin e tij, Sionin, në ndeshjen e luajtur në fushën e Tunit.
Ishte minuta e 18-të, kur lojtari i krahut iu shkëput mbrojtësve për ta futur topin në portë, e për t’i dhënë mundësi Sionit të vazhdonte serinë e fitoreve, tashmë katër të tilla.
Një sukses që e mban skuadrën në podiumin e Superligës, në vendin e tretë, me 13 pikë në 6 javë, e duke iu larguar disi ekipeve që vijnë pas. Ndonëse nuk shënon aq shumë sa Bazeli e Jang Bojsi, sërish ekipi i Zvicrës franceze është vetëm 2 pikë larg kreut të renditjes.
Bashkë me Lenjanin, aty luajnë edhe dy shqiptarë të tjerë të lindur në Zvicër dhe që kanë përfaqësuar kombëtaren zvicerane, si Pajtim Kasami e Valon Behrami, që këtë herë mungoi për shkak dëmtimi./ABC News Albania 24/7