Një objekt i dyshuar si lëndë plasëse është gjetur në orët e para të mëngjesit të së hënës pranë pajisjeve të një subjekti që merret me përpunimin e inerteve në zonën e Repsit në Mirditë.
Burime paraprake bëjnë me dije se materiali i dyshimtë është pikasur nga punonjësit e kompanisë gjatë nisjes së punës, të cilët kanë lajmëruar menjëherë strukturat e policisë.
Lënda nuk ka shpërthyer dhe eshte dashur nderhyrja e specialistëve xhenierë për të kryer procedurat e sigurta të neutralizimit.
Policia është njoftuar nga administratorja e një firme private minerare në Reps të Mirditës, e cila ka bërë me dije se në ambientet e jashtme të kësaj kompanie është konstatuar një objekt i dyshimtë.
Sipas informacionit paraprak, në një automjet të parkuar pranë godinës është gjetur një qese plastike e vendosur në bazamentin e gomës së parë në anën e shoferit. Brenda saj dyshohet se ndodhet lëndë plasëse.
Nga vëzhgimi i parë në vendngjarje, objekti i dyshuar duket se ka të montuar edhe një mekanizëm shpërthyes.


