Një tjetër pilot i Ferrarit vendosi kandidaturën për të qenë një legjendë në të ardhmen. Sharl Lëklerk fitoi Çmimin e Italisë në Monza, 9 vjet pas suksesit të fundit të skuadrës italiane në Monza.
Në Çmimin e Madh, me shumë gjasë, më të famshëm në botë, kanë fituar shumë legjenda të skuadrës së kuqe. Në 30 vitet e fundit Gerhard Berger, Mikael Shumaher, Ruben Barrikelo, për të arritur tek Fernando Alonso, ndërsa këtë të diel, në pistën e Monzës, duket se u konfirmua një yll i ri.
Sharl Lëklek triumfoi në Çmimin e Madh të Italisë me Ferrarin e tij, plot 9 vjet pas suksesit të fundit pikërisht të Alonsos. Piloti 21-vjeçar, që e nisi sezonin si numri 2, tashmë mund të quhet numri 1 me të drejta të plota, duke lënë sërish pas Sebastian Fetelin, madje duke dalë mbi të edhe në renditjen e përgjithshme të Botërorit.
Djaloshi frengjishtfolës nga Montekarlo fitoi vendin e parë në prova, e nisi garën siç duhet, dhe e udhëhoqi gati nga fillimi deri në fund, edhe pse bëri disa gabime. Lëklerku përballoi sulmin e fortë të Mercedesit, që tentoi vendin e parë me të dy pilotët e tij. Fillimisht, me kampionin e botës Ljuis Hamilton, dhe pastaj me finlandezin Valteri Botas.
A mund të thuhet se vitin tjetër ai do të luftojë për titull?
Lëklerku përballoi trysninë duke treguar brumin prej kampioni, ndonëse është ende vështirë të vihet bast për një pilot me vetëm dy fitore në karrierë.
“Nëse ka një Çmim të Madh që duhet me patjetër ta fitosh me Ferrarin, ky është i Italisë, – u shpreh Lëklerku, – ishte çmenduri që nga fillimi i javës, pasi unë erdha këtu pas fitores sime të parë. Ishte e pabesueshme të fitoja garën e dytë radhazi, përpara kaq shumë tifozëve që mezi e prisnin këtë. Ky podium është gjëja më e shtrenjtë për mua”.
Shumë momente emocionuese kanë ndodhur në Monza. Këtu, Mikael Shumaheri deklaroi fundin e karrierës pas fitores së vitit 2006. Këtu, Ferrari nxjerr një tjetër kandidat për legjendë, Sharl Lëklerkun./ABC News Albania 24/7