Lekët e votave, do jepen para apo pas votimit? Erion Kristo ka një pyetje për kandidatët

schedule21:25 - 12 Mars, 2021

schedule 21:25 - 12 Mars, 2021

Monolog nga Erion Kristo

Përshëndetje zoti kandidat. Ju falënderojmë që morët mundimin të kandidonit. E di, e di. Më përpara ne nuk të njihnim, po ke ardhur i shoqëruar me “çunat e duhur problematikë” dhe ne do të të respektojmë.

E dimë gjithashtu që ke paguar për të zënë vend në listën fituese, se ti je “piznesmen i fuqishëm”. Nga e dimë? Po ç’lidhje ke ti me ne? Ti je nga një krahinë tjetër. As zakonet tona nuk i njeh. Ne kemi mësuar që ke pasur një emër tjetër, por dhe ky emër që ke tani, i bukur është.

S’ka problem për ne, se mos do të të thërresim në emër ne. Do të të themi: Zoti deputet! Një pyetje kishim kështu, nga salla, a i ke të punësuar të gjithë robt e fisit? Jo se ai kandidati që kishim, u kënaq. Nuk la më rob kot fisi pa punësuar. Po ti, ndoshta ke lekë vetë dhe i punëson. Tani një çështje duam të sqarojmë, ato lekët e votave, do na i japësh paradhënie apo pasi të të sjellim provat?

Dhe një gjë tjetër: Ku do betohemi: në librat e shenjtë apo në fotografinë e liderit? Jam shumë kurioz, a ke qenë ndonjëherë në shkollën ku ke blerë diplomën. Jo? Epo mirë ke bërë. Kohë e humbur kot koha e shkollës. Kushedi sa skafe ke nisur në atë kohë? Kemi dhe një pyetje: ti e ke paguar vendin në listë, dhe mirë ke bërë. Po me lëpirjen si je ti? A ke aftësi?

Jo, ne nuk kemi hall, por po u mësuam me një njeri që na gënjen mirë gjithë kohës, nuk duam ta ndërrojmë, se mësohemi. Dhe po nuk u lëpive, të heqin ata të mëdhenjtë dhe na prish punë dhe neve. Se dhe ne do të të lëpihemi, dhe kush mëson shije të reja në këtë moshë që kemi. Thuaj dy fjalë në parlament se ne na pëlqejnë fjalimet. Dhe na bëj ndonjë vizitë, sa për të na përshëndetur.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!