Lekë në këmbim të votës në 25 Prill, SPAK çon në gjyq shefin e zyrës juridike të Bulqizës

schedule16:07 - 18 Tetor, 2021

schedule 16:07 - 18 Tetor, 2021

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin në ngarkim të pandehurve Abion Ceku dhe Denis Xholi me banim në Dibër, të hetuar me masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Nga veprimet hetimore të zhvilluara në kuadër të këtij procedimi penal, SPAK shprehet se janë mbledhur prova me anë të të cilave është provuar se Denis Xholi në bashkëpunim me të pandehurin Abion Ceku “kanë shpërndarë në Njësinë Administrative Maqellarë shuma monetare tek persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrës së votimit të zgjedhësve, në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në datën 25.04.2021”.

Po kështu, nga hetimet, sipas SPAK-ut “është provuar se i pandehuri Denis Xholi i cili ka ushtruar funksionin e përgjegjësit të zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore” (lexo këtu si u bllokua makina).

Në përfundim të hetimeve, Denis Xholi është akuzuar se ka kryer veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, të parashikuar nga nenet 328-25 dhe 328/a/1 të Kodit Penal, ndërsa i pandehuri Abion Ceku është akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme sot në datën 18.10.2021 ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq./ Abcnews.al