Ashtu siç pritej, Kombëtarja jonë e futbollit ka nisur në orën 15:00, të kësaj të hëne, stërvitjen e parë në kuadër të përballjes së 17 nëntorit, ndaj Moldavisë, përballje e cila pritet të vulosë përfundimisht kualifikimin e “legjionarëve” tanë, për të në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.
Deri më tani në “Shtëpinë e Futbollit”, aty ku do të zhvillohen të gjitha seancat stërvitore, para se të nisen drejt Çisinaut, janë grumbulluar pothuajse të gjithë lojtarët e ftuar nga tekniku Sylvinho, me përjashtim të Mario Mitajt i cili pritet të mbërrijë në orën 19:00 e pas tij pritet të vijnë Berisha, Daku, Kastrati e Laçi.
Siç u njoftua edhe më herët nga Federata Shqiptare e Futbollit, i vetmi ndryshim në listën e teknikut brazilian është qendërmbrojtësi Arlind Ajeti, i cili për shkak të një dëmtimi do të zëvendësohet me “kollosin” e mbrojtjes së Lokomotiv Zagreb, Jon Mersinaj.
Ndërkaq, në fokus është edhe “fantazisti” i Kombëtares, Kristjan Asllani, i cili momentalisht është duke kryer stërvitje të diferencuar nga ekipi, pasi nuk është në gjendje për të punuar me pjesën tjetër të ekipit, për shkak të një shqetësimi që ndjen në muskujt e kofshës së djathtë. /FSHF