“Legjionarët e vegjël” nuk ndalojnë, Shqipëria U-15 mposht Maqedoninë e Veriut në “Elbasan Arena”

schedule19:36 - 9 Qershor, 2023

schedule 19:36 - 9 Qershor, 2023

Shqipëria U-15 ka zhvilluar sot ndeshjen e dytë miqësore të programuar ndaj Maqedonisë së Veriut, me sfidën që u luajt këtë pasdite në stadiumin “Elbasan Arena”.

Një ndeshje e mirë për Kombëtaren shqiptare që e fitoi duelin me rezultatin 3-2 me gola të Denis Matrakut (2) dhe Henry Lleshit.

Trajneri Armand Damo e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Aron Kamberi, Xhoel Mezani, Frensi Mali, Dion Vata, Majkol Luka (C), Henry Lleshi, Elson Himallari, Arbër Lleshi, Denis Matraku, Alvi Kumbaro, Dionis Pera.

Ashtu si edhe në miqësoren e dy ditëve më parë kuqezinjtë bënë një paraqitje shumë të mirë, duke qenë superiorë në pjesën më të madhe të lojës e duke krijuar vazhdimisht raste për shënim.

Në minutën e 12-të Lleshi është shumë pranë golit të parë, por për fat të keq topi i goditur prej tij përplaset në traversë dhe përfundon jashtë.

Pas shumë tentativash Kombëtarja U-15 gjen avantazhin e merituar në minutën e 34-të të sfidës.

Shqipëria fiton një goditje dënimi në hyrje të zonës me kuqezinjtë që vendosin të vënë në zbatim një skemë, duke pasur në qendër për Himallarin, i cili godet kuadratin, por portieri maqedonas grushton. Matraku në qendër të zonës kontrollon topin dhe godet bukur me të djathtën, duke shënuar e duke kaluar në avantazh Kombëtaren U-15.

Me këtë moment kulminant mbyllet edhe pjesa e parë, ndërsa në dytën trajneri Damo bën disa zëvendësime, duke aktivizuar lojtarë të stolit.

Djemtë e Damës e nisin mirë edhe pjesën e dytë dhe në minutën e 46-të Matraku merr një top jashtë zonës dhe pas depërtimit godet bukur me të djathtën duke tundur rrjetën e duke fiksuar rezultatin në shifrat 2-0.

Tjetër rast i mirë për kuqezinjtë me Himallarin që godet portën nga shumë afër pas një krosi të ardhur nga e djathta, por gardiani maqedonas shmang një gol të sigurt në dy kohë.

Gjithsesi, maqedonasit arrijnë të reagojnë dhe ngushtojnë diferencën në minutën e 50-të me Islamovikj që ekzekuton bukur një goditje dënimi me të majtën, duke shënuar.

Goli nuk i dekurajon kuqezinjtë që luajnë mirë dhe në minutën e 60-të vjen edhe goli që çon rezultatin në 3-1.

Arbër Lleshi merr një pasim të gjatë nga e djathta dhe pasi driblon bukur kundërshtarin depërton deri në qendër, duke pasuar saktë për Henry Lleshin.

Ky i fundit nuk gabon dhe e dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 79-të maqedonasit fitojnë një 11-metërsh, me Dzangarovskin që godet nga pika e bardhë dhe shënon për të ndryshuar rezultatin në 3-2.

Pavarësisht përpjekjeve nga të dyja skuadrat në minutat e mbetura rezultati nuk ndryshon me Shqipërinë U-15 që del fituese nga ky duel.

Dy miqësoret ishin një mundësi shumë e mirë për të testuar shumë lojtarë të rinj apo edhe për të konsoliduar grupin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!