Bento Matheus Krepski pritet të jetë një nga përforcimet e Interit gjatë merkatos verore. Kampionët e Italisë kanë përzgjedhur 24-vjeçarin brazilian si portierin e së ardhmes.
Bento është pjesë e Athletico PR, ndërkohë që në muajin mars debutoi me kombëtaren seleçao, duke treguar vlera me pesë herë kampionët e botës.
Maicon, një nga anësorët e djathtë më të mirë që ka luajtur me Interin, konfirmon kalimin e bashkëpatriotit të tij nën urdhrat e Simone Inzaghit.
“Kam biseduar me disa njerëz që qëndrojnë në prapaskenë, dhe mendoj se Bento do të transferohet tek Interi. Sommer po ‘plaket’, ndërkohë që Bento ka bërë shumë mirë në ndeshjet e fundit, gjithashtu edhe në dy takimet me kombëtaren e Brazilit.
Drejtuesit e Interit i kanë parë performancat e portierit. Unë besoj se Bento ka gjithçka për të shkuar vazhduar karrierën në Milano. Dhe mendoj se ai është duke firmosur një kontratë tashmë me Interin”.
Plani i zikaltërve është që Bento të zhvillojë një sezon si zëvendësuesi i Yan Sommer, për t’i zënë vendin e titullarit zviceranit në sezonin 2025/2026.
Çfarë tha Bento disa ditë më parë
Jam i lumtur që emri im lidhet me Interin, por asgjë nuk është mbyllur, janë spekulime. Unë jam i përqendruar tek Athletico. Dua të jap më të mirën time, pasi ky klub më ka bërë ky që jam.
Dua të mësoj sa më shumë gjëra, në mënyrë që të arrij suksese edhe më të mëdha. Dhe nëse ndodh që të largohem, jam i sigurt se Linck (portieri i dytë) do të bëjë një punë të shkëlqyer./h.ll/abcnews.al