Paul Gascoigne njihet si një “bad boy”. Anglezi, i cili ka luajtur edhe me kombëtaren e vendit të tij dhe që ka shkëlqyer në fushë, problemet me sjelljen i ka pasur të shumta. Shpesh nuk ka ngurruar edhe të bëjë ndonjë rreng.
Në vitin 1992 Gazza u ble nga Lazio, pas eksperiencave të suksesshme te Newcastle dhe Tottenham. klubi italian, duke ia ditur bëmat, kishte vendosur ta linte në një hotel pasi e bleu.
Që të shmangnin ndonjë surprizë, Lazio kishte lënë me Gascoigne edhe një roje private. Anglezi mezi priste që të ishte një moment vetëm dhe sapo i erdhi vuri në jetë rrengun e tij.
Gazza hapi dritaren dhe vendosi pranë saj këpucët e tij. Vetë u fsheh në gardërobën e dhomës së hoteli dhe truproja kur shkoi aty ishte i sigurt që futbollisti i ri i Lazios ishte hedhur nga dritarja për të vrarë veten.
Ai as që e mendonte se një futbollist mund të bënte lojëra të tilla dhe më pas i është dashur të durojë edhe trembjen, kur Paul Gascoigne i doli nga gardëroba befasisht.
Gjysma e së keqes, të paktën truproja mund të gëzohej që njeriu që duhet të ruante ishte gjallë… Ndërsa për Gascoigne “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron” përshtatet më së miri. / abcnews.al