Ajo që ndodhi në mesjavë nuk do të harrohet kurrë.
Bosnjë-Hercegovina arriti në finalet e Kupës së Botës në mënyrën më të lavdishme të mundshme, duke eliminuar një ekip katër herë kampion të rruzullit si Italia, dhe shiritin në krah e pati një legjendë.
Edin Xheko mbetet prej 12 vitesh e më shumë kapiteni I të mbiquajturve “dragonjtë”, e duket se nuk do t’ia dijë për moshë pensioni.
Në moshën 40-vjeçare do të jetë për herë të dytë në finalet e një Botërori, pasi si kapiten udhëhoqi ekipin edhe në 2014 në Brazil.
Jo vetëm kaq, por kjo nuk duket si “kënga e fundit e mjelmës”, siç thuhet në këto raste.
Festa nga ballkoni I ndërtesës qeveritare në sheshin e Vatrës së Pashuar në Sarajevë nuk ishte akti përmbyllës I karrierës së tij të lavdishme.
Xheko jo vetëm që do të jetë në Botëror, gjithnjë nëse nuk do të ketë ndonjë dëmtim, por edhe do ta vazhdojë karrierën.
Për momentin, luan në Gjermani, në Bundesligën e dytë, dhe me njërin nga ekipet më të njohur të vendit të madh, Shalken.
Të mbiquajturit “Blutë Mbretërorë” janë në vend të parë të renditjes dhe favoritë për t’u kthyer në Bundesligë, aty ku sulmuesi nga Bosnja ka luajtur dhe ka shkëlqyer edhe më parë.
Këtë edicion ka 6 gola e 3 asistë, ndërsa ka luajtur vetëm 8 herë, pasi mbërriti në janar që nga Fiorentina.
Edin Xheko ka fituar katër herë Këpucën e Artë në karrierë, është kampion I Gjermanisë, dy herë kampion I Anglisë dhe fitues I Kupës së Anglisë, por duket se nuk është ngopur ende me futbollin.


