Interi do të luajë kundër Udineses, ditën e dielë, në Seria A. Nga ky takim “zikaltërtit” kërkojnë të dalin me 3 pikë për të mos u shkëputur nga skuadrat kryesuese.
Ish-legjenda e Interit, Lotar Mateus, në një intervistë për “La Gazzeta dello Sport”, ka folur për disa lojatër të “zikaltërve”, por edhe për trajnerin Simone Inzagi.
Lautaro Martinez si numri 10? Ai numër është në duar të sigurta. Lautaro mund të luajë për shumë vite këtu dhe në nivele të larta. Të dy kemi mbajtur numrin 10, por kemi luajtur në pozicione të ndryshme. Me Lukakun ishte një dyshe e frikshme.
Barela kapiten i të ardhmes? E pëlqej shumë Barelën. Ka mentalitet dhe kualitet ndryshe nga të tjerët. Jam i lumtur që luan për Interin, por ai është i aftë të luajë për klubet më të forta në botë.
Konte apo Inzagi? Konte ishte si Trapatoni, krijonte një lidhje të veçantë me ekipin. Inzagi ka bërë një punë të mirë deri tani, por Konte kishte më shumë eksperiencë dhe një personalitet ndryshe.
Lotar Mateus luajti për 4 sezone për zikaltërit, ku shënoi 53 gola në 153 ndeshje. Gjithashtu ai fitoi dhe Topin e Artë në vitin 1990. /f.a/abcnews.al


