Franco Baresi, zëvendëspresident nderi te Milanit tani, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport” dhe temat që prek janë të shumta, duke nisur nga Tomori që po spikat në Serie A, rinovimi me Donnarumma, gara me Interin, surpriza Kessie dhe Ibrahimovic, por edhe Tonali.
TOMORI DHE DONNARUMMA – “Do të bëjmë gjithçka për të nënshkruar me të. Dy muaj kanë mbetur deri në fund të sezonit dhe kjo nuk varet vetëm nga Milani. Tomori po imponohet me talent dhe vendosmëri, ai nuk ka treguar frikë për të luajtur në një kampionat të ri.
E ka potencialin të bëhet një kampion i madhe dhe shpresojmë t’i përmbushë pritshmëritë. Donnarumma? I dimë cilësitë e tij. Ai është rritur te Milani dhe e dimë se sa i rëndësishëm mund të bëhet në vitet e ardhshme”.

GARA PËR TITULL – Interi ka 6 pikë më shumë se Milani dhe kuqezinjtë nuk është se kanë shumë në dorë, veçse të fitojnë ndeshjet e tyre. Për garën me zikaltrit, Baresi shprehet: “Le të shohim. Interi po paraqitet mirë dhe po merr rezultatet, nga ana tjetër Milani duhet të bëjë më të mirën. Kjo është pjesë e historisë. Nuk varet nga ne. Duhet thjesht të vazhdojmë të fitojmë ndeshjet, sikurse bëmë në Firence, ju treguam shpirtin e duhur”.
SURPRIZAT – Legjenda e Milanit është befasuar nga një futbollist këtë sezon: “Kessie është ai që më ka surprizuar më së shumti. ai është rritur në mënyrë eksponenciale, në çdo aspekt, mendërisht dhe taktikisht. Gjithashtu ai po ndikon edhe në paraqitjen e lojtarëve të tjerë”.

“Ibrahimovic? Më ka befasuar vetëm një gjë, kur ai qau në konferencën për shtyp para ndeshjes që kishte me Suedinë. Ai është një djalë me zemër të artë. Zlatan drejtues? Duhet të pyesni atë. ka kohë deri kur të ndryshojë rolin. Shpresoj ta shoh në fushë edhe për një sezon. Ai është një forcë e natyrës”.
TONALI – “Ka shumë pritshmëri për një lojtar me cilësitë e tij, por nuk mund të injorohet fakti që është vetëm 20 vjeç. Si mund të prisni që të luajë si një veteran? Ai është përmirësuar dhe i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë protagonist”, është shprehur Baresi në intervistën për gazetën italiane. /abcnews.al

