Lefter Koka në pranga, akuzat e opozitës dhe si firmosi për inceneratorët

schedule13:01 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 13:01 - 14 Dhjetor, 2021

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është arrestuar sot nga Prokuroria e Posaçme, për çështjen e inceneratorëve. Gazetari Ermal Vija konfirmon për abcneWs.al se krahas Kokës ka edhe disa persona të tjerë të arrEstuar për të njëjtën akuzë.

Lefter Koka akuzohet për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre”. Hetimet nga SPAK kanë të paktën dy vite që kanë nisur. Ishte Partia Demokratike që depozitoi në Prokurorinë e Posaçme për çështjen e inceneratorëve, ku implikohej Lefter Koka.

Disa muaj më parë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi akuzoi publikisht Lefter Kokënse kishte firmosur për të realizuar projektet e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Në dosjen që nxori në media, Kryemadhi tha se Lefter Koka kur ishte Ministër i Mjedisit u vetëshpall si autoriteti nënkontraktor që do të negocionte me kompaninë e inceneratorit të Tiranës, ndërkohë që këtë tagër e kishte vetëm Këshilli i Ministrave.

Ai u akuza se ka gënjyer këshillin e ministrave duke nënshkruar me dorën e tij se ngritja e inceneratorit nuk do të kishte impakt mbi buxhetin e shtetit. Këtë deklarim ai e ka paraqitur edhe pranë Këshillit të Ministrave gjatë procedurës së miratimit të VKM për Dhënien e Bonusit prej 8% të pikëve shoqërisë “Integrated Energy BV”, e cila ishte përzgjedhur pa organizuar një garë ndërkombëtare me investitorë të huaj, sikurse kërkohej.

Për të gjitha këto veprime, Monika Kryemadhi dërgoi në SPAK dosjen ku kërkoi dënimin e tij për shpërdorim detyre.

Nga ana tjetër, ish-ministri i ka mohuar vazhdimisht akuzat ndaj tij duke theksuar se bëhen për qëllime të pastra politike. Lefter Koka e ka mbrojtur projektin e inceneratorëve si një domosdoshmëri, pasi Durrësi, Tirana, Elbasani dhe Fieri ishin në “emergjencë mjedisore”. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!