“Lecce si Leicester”, D’Aversa: Jemi me këmbë në tokë, i druhemi një Juventus-i “të acaruar”

schedule20:56 - 25 Shtator, 2023

schedule 20:56 - 25 Shtator, 2023

Mund të thuhet me plot gojë se “surpriza” më e madhe e këtij sezoni në Serie A është Lecce e Ylber Ramadanit, teksa deri më tani ka arritur të sigurojë plot 11 pikë, në 5 ndeshjet e para të sezonit, duke mos u mundur në asnjë prej këtyre sfidasve.

Të shumtë janë ata që kanë filluar t’i krahasojnë italianët me “dhelprat” e Leicester, me këta të fundit që fituan në vitin 2016 titullin e Premier League, megjithatë tekniku, Roberto D’Aversa nuk është i këtij mendimi.

“Krahasimi me Leicester nuk mund të ekzistojë, pasi kemi bërë vetëm një fillim të mirë të sezonit. Drejtori Sportiv, Corvino më këshilloi të vendos renditjen përmbys, që lojtarët të shohin se jemi të tretët nga fundi, pasi vetëm kështu mund të qëndrojmë me këmbë në tokë”,- u shpreh D’Aversa.

Sfida e radhës e skuadrës së Ramadanit do të jetë ajo e së martës mbrëma ndaj Juventus, me teknikut italian që i “trembet” jo pak euforisë së “bardhezinjve”, sidomos pas humbjes së thellë që pësuan këtë fundjavë nga Sassuolo.

“I trembem më shumë faktit që Juventus do të jetë i acaruar për atë humbje ndaj Sassuolo, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Dihen vlerat e kundërshtarit dhe na pret një sfidë e vështirë, për të cilën jemi përgatitur të përfaqësohemi denjësisht”,- tha tekniku italian. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!