Lebron Xhejms pëson humbjen e tretë radhazi në basketbollin ameriken. Ylli më i madh i botës nuk po mjafton për skuadrën e shquar, Los Anxhelos Lejkërs.
Nuk pritej mrekulli që në fillim, por jo ky dështim. Lebron Xhejms dhe Los Anxhelos Lejkërs, kombinimi më i madh i NBA-së, u mposht sërish, për të tretën herë radhazi, në tri ndeshje të luajtura deri tani. Disfata ishte në “Stejpëlls Sentër”, pra në shtëpi dhe iu shkaktua nga San Antonio Spërs, me shifrat 143-142, pas kohës shtesë. Lebron ishte në fushë për plot 42 minuta, duke mos pyetur për gati 34 vite të moshës. Ai shënoi 32 pikë, kapi 8 topa në tabela, dhe shkëlqeu në specialitetin tjetër të tij, pasimet për kosh, me plot 14 të tilla.
Kapiteni nuk është se ishte vetëm, pasi Kajl Kuzma shënoi 37 pikë, në një ndeshje të shkëlqyer për të, Hart shtoi 20 pikë, Mekgi 16 dhe Boll edhe 14 të tjera. Për fat të keq, humbja nuk u arrit të shmangej. San Antonio pati edhe ai Lebronin e vet. Pas ikjes së Leonardit, erdhi Demar Derozan, i cili pati thuajse të njëjtën paraqitje si Xhejmsi. Shënoi 32 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 14 asiste. Mbështetur edhe tek 37 pikët e Lamarkus Olldrixhit, skuadra e trajnerit të famshëm, Greg Popoviç, përballoi furinë e Lejkërsave, e sidomos të Xhejmsit.
San Antonio ka tani 2 fitore e një humbje, fillim aspak i keq në një sezon që parashikohet të jetë tepër i fortë dhe i vështirë. Nuk dihet nëse Popoviç do të arrijë të krijojë sërish një ekip të aftë për të luftuar për titull, veçse është e sigurt që do ta provojë deri në fund. Nuk dihet gjithashtu, nëse Lebron do të mjaftojë për klubin ndoshta më të famshëm të NBA-së, që ai të jetë sërish superfuqi. Mosha e tij e madhe dhe rivaliteti e bëjnë të vështirë që të përsëriten epokat e Xhabarit, Mexhik Xhonsonit apo Kobi Brajantit./abcnews.al