Lebron Xhejms, në prag të kthimit pas dëmtimit

schedule13:53 - 30 Janar, 2019

schedule 13:53 - 30 Janar, 2019

Lebron Xhejms është në prag të rikthimit në Arenat e basketbollit amerikan, ndërsa skuadra e tij po kalon nga disfata në disfatë. Lejkërsat u mundën përsëri, në fushën e tyre nga Filadelfia

Protagonistët janë të tjerë në mungesë të tij. Los Anxhelos Lejkërsat po pësojnë dështim pas dështimi, në mungesë të yllit të tyre të madh, ndërsa Lebron Xhejms është në prag të rikthimit.

I mbiquajturi “Mbreti I basketbollit” postoi foto nga stërvitja e tij me skuadrën, dhe me shpjegimin: “Thuajse erdhi koha përsëri! Më ka marrë kaq shumë malli për ju”!

Duhet të nxitojë, gjithsesi, sepse punët nuk po shkojnë mirë.

Lejkërsat u mundën në shtëpi nga Filadelfia, 105-121, duke ndjerë mungesën e kapitenit, por edhe të organizatorit Rejxhën Rondo. Kamerunasi Xhoel Embijd udhëhoqi miqtë, me 28 pikë, 11 topa në tabela dhe 6 asistë.

Ai u ndihmua nga Xhmi Batler me 20 pikë, 5 topa në tabela, 6 asistë, 5 vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje, ndërsa shumë mirë luajtën Ben Sajmëns apo Majk Maskala.

Skuadra nga Kalifornia pati një kontribut të madh nga Brendën Ingram. Njëzetenjëvjeçari shënoi jo pak, por plot 36 pikë, duke kapur 5 topa në tabela e duke shërbyer pas pasime për kosh.

Pavarësisht nga kjo, Lejkërsat kanë 11 humbje e vetëm 6 fitore pa Lebronin, duke dalë jashtë zonës së plej ofit në NBA. Natyrisht, rikthimi i Xhejmsit pritet të rikthejë edhe fitoret, ndërsa shpresa është që të merret ylli Entoni Dejvis nga Nju Orlinsi, deri në 7 shkurt. Sidoqoftë, a do të munden Lejkërsat të sfidojnë rivalët si Golden Stejti, Hjustoni, Miluoki apo Toronto, qoftë edhe me Lebronin në formacion?/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!