Lebron Xhejms mungon në humbjen e Lejkërsave

schedule17:59 - 3 Shkurt, 2019

schedule 17:59 - 3 Shkurt, 2019

Lebron Xhejms mungoi përsëri në basketbollin amerikan, vetëm një ndeshje pasi u kthye nga dëmtimi. Tifozët e Lejkërsave janë të shqetësuar për shëndetin e yllit 34-vjeçar.

Nuk kishte munguar kurrë kaq gjatë. Lebron Xhejms i dha një kënaqësi vetvetes, por edhe tifozëve të Lejkërsave, kur u kthye më në fund në Arenën e NBA-së, nga dëmtimi, pas plot 17 ndeshjesh. Prania e tij u ndje menjëherë në “Stejpëlls Sentër”, dhe Liqenasit triumfuan në derbin e qytetit Los Anxhelos ndaj Klipersave.

Gjithsesi, tifozët dhe shokët e skuadrës nuk mundën të gëzoheshin gjatë, madje as vetë Lebroni. Një ditë pasi u shpreh i lumtur për rikthimin nga dëmtimi, numri 1 i basketbollit në botë mori një lajm të keq. Trajneri Ljuk Ualton vendosi ta linte jashtë ndeshjes së radhës, atë që u luajt në fushën e Golden Stejtit.

“Lebroni ishte tepër I lodhur dhe me dhimbje pasi luajti 40 minuta ndaj Klipersave, – tha trajneri, – kjo ishte gjë normale pas një mungese kaq të gjatë, dhe unë vendosa të bëj një menaxhim të ngarkesës që duhet të ketë ai”.

Pa yllin kryesor, Lejkërsat u kthyen sërish tek humbja, me shifrat 101-115, por nuk ishte thjesht disfata që solli shqetësim. Problemi numër 1 duket se është mosha 34-vjeçare e Xhejmsit, që rrit rrezikun e dëmtimeve, dhe zgjat kohën e riaftësimit.

Në një kampionat kaq të ashpër dhe ritmik sa NBA-ja, kjo mund të ndikojë për keq tek superylli dhe tek skuadra. Lebroni e lodhi shumë veten sezonin e kaluar te Kavaliersët, ku u përpoq të fitonte titullin e katërt në karrierë, ndërsa “u rrëzua” në pengesën e fundit, në finalen ndaj Golden Stejtit. Trajneri Ualton shpreson që duke e kursyer fizikisht në sezonin e rregullt, mund ta ketë Lebronin më të freskët në plej of, gjithnjë nëse Lejkërsat arrijnë të kualifikohen./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!