Lebron Xhejms e nisi me humbje karrierën tek Los Anxhelos Lejkersat

schedule18:54 - 19 Tetor, 2018

schedule 18:54 - 19 Tetor, 2018

Lebron Xhejms e nisi me humbje karrierën tek Los Anxhelos Lejkërsat. Edhe pse luajti shumë mirë, nuk përballoi dot sfidën në fushën e Portlendit. Luajti siç di ai, por nuk ia doli.

Lebron Xhejms e pati humbje nisjen e karrierës me Los Anxhelos Lejkërsat, ndërsa Portlendi i tregoi sesa të vështirë do ta ketë.
Vëmendja ishte e gjitha te ai që mbiquhet lojtari më i madh i botës në basketboll, ndoshta më i madhi i të gjitha kohëve dhe kamerat ishin të përqëndruara mbi Lebronin edhe pse fitues ishin vendasit me shifrat 128-119.

Numri 23, veshur për herë të parë me fanelën e famshme të verdhë, ishte më i miri lojtar në fushë duke shënuar 26 pikë, kapur 12 topa në tabela e shërbyer 8 pasime për kosh.
Gjigandi që mbush 34 vjeç në fund të vitit, ishte sërish I pamundur për t’u mbuluar, dhe shokët e tij nuk luajtën aspak keq, sidomos Hart, Ingram apo Kuzma, veçse Lejkërsat kanë ende shumë punë për të bërë, që të pretendojnë titullin.

Në një ligë tepër të fortë si NBA, nuk do të jetë aspak e lehtë të thyhen kampionët në fuqi të Golden Stejtit, apo të rivalizohen ekipe shumë të fortë si Hjustoni apo Bostoni.
Lebron, për më tepër, nuk ka shumë kohë në dispozicion pasi vitet do të bëjnë punën e tyre. Ai ka arritur të fitojë vetëm tre tituj kampion në karrierë, dy me Majemin e një me Klivlendin, ndërsa legjendat më të mëdha të së kaluarës, si Bill Rasëll apo Majkëll Xhordan kanë shumë më tepër trofe sesa ai./abcnews.al