Nuk është se ka nevojë për shumë kulme të tjera. Lebron Xhejms vazhdon të luajë në NBA për të fituar titullin kampion për herë të pestë, e për t’iu afruar Majkëll Xhordanit, por gjithsesi pas 23 sezonesh në elitë rekordet vetëm shtohen.
Shënuesi më I mirë I të gjitha kohëve në basketbollin amerikan, dhe katër herë kampioni, ishte shumë pranë një tjetër arritjeje historike. Në fitoren e Lejkërsave ndaj Atlantës, ai iu afrua një tripëll dabëlli.
Shënoi 31 pikë, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 10 asistë, e nëse do t’ia kishte dalë, do të ishte bërë më I vjetri në historinë e NBA-së me një tripëll dabëll.
Ky nder mbeti për legjendën tjetër, Karl Maloun, që e ka bërë tek Juta Xhaz në 2003 kur kishte moshën 40 vjeç e 127 ditë. Lebron i ka kaluar 41 vjeç që nga 30 dhjetori, por tripëll dabëll nuk realizon prej shkurtit 2025.
Falë kapitenit, dhe falë edhe yllit tjetër, Luka Doncic, Lejkërsat fituan thellësisht 141-116 ndaj Atlantës në Los Anxhelos, duke lënë pas tri humbje radhazi.
Xhejms nuk pritej që të luante, sepse me moshën që ka bën shumë pushim, por vendosi të sakrifikonte dhe deklaroi më pas se u ndje shumë mirë.
Skuadra nga Kalifornia është në vendin e pestë në Konferencën Perëndimore, me distancë nga Oklahoma që kryeson, por shumë pranë vendit të dytë që mbahet nga San Antonio


