Lea Ypi: Mbiemri në jetën e familjes sime, herë barrë e herë krenari

schedule23:00 - 1 Dhjetor, 2021

schedule 23:00 - 1 Dhjetor, 2021

Profesoresha e Teorive Politike, Lea Ypi, ka folur në “Refleksione” lidhur me idetë e saj që ka për të shkuarën, për peshën që ka patur në jetën e familjarëve të saj mbiemri “Ypi” si dhe për debatin e sotëm mbi gjetjen e rrugëve që njeriu të jetojë me dinjitet.

“Për mua personalisht, mbiemri ka qenë për një pjesë një barrë dhe për një pjesë tjetër arsye krenarie. Në mbiemrin tim kanë qenë njerëz me bindje të ndryshme politike dhe nga njerëz që u ka peshuar pasardhësve. Por ka qenë edhe pretekst zënkash të natyrës politike apo filozofike. Në rastin tim personal mbiemri ka qenë lidhja me historinë e Shqipërisë dhe një mënyrë për të kuptuar se ku është gabimi i përcaktimit të fatit të njeriut me biografinë.

Në të shkuarën, në diktaturë, mbiemri përcaktonte fate, se çfarë drejtimi do të merrnin në jetë pasardhësit, pasi dikush tjetër ta përcaktonte identitetin politik. Ndërkaq, brenda familjes ka pasur konflikte për idetë politike, pasi përfaqësues të ndryshëm kanë kontribuar në mënyra krejt të ndryshme. Unë e shoh mbiemrin si një mënyrë për të sinjalizuar vazhdimësinë por edhe ndryshimin se si ndërtohet identiteti shoqëror”, tha Ypi.

Ajo ka shtuar se, gjithsesi nuk beson se mbiemri mund të na përcaktojë se cilët jemi ne në shoqëri.  Madje, ajo shpreh refuzimin për ata që e përdorin mbiemrin për privilegje apo për të sinjalizuar se po vjen dikush që e shenjon veten për të rëndësishëm.

“Unë nuk mendoj se ka mbiemra të parëndësishëm. Unë besoj se të gjithë ata që punojnë-, qoftë në ndërtim, qoftë në politikë, qoftë dikush që edukon fëmijë apo shëron të sëmurë-, ekziston fuqia e identitetit, që i ndihmon edhe të kuptojnë nga vijnë dhe se çfarë lidhje kanë me prejardhjen e tyre, por nuk besoj se e kaluara, nuk besoj se prejardhja na thotë ndonjë gjë për mënyrën se si ne duhet të ecim përpara dhe për vendimet që marrim. Mbiemri nuk duhet të përdoret për privilegje apo për të sinjalizuar se po vjen dikush që është më i rëndësishëm se tjetri”, tha Ypi. / Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!