Lea Ypi: Diktatura na ka bërë mosbesues, por është detyrimi ynë moral të kemi shpresë

schedule23:30 - 1 Dhjetor, 2021

schedule 23:30 - 1 Dhjetor, 2021

“Është një detyrim moral të kemi shpresë për të ardhmen”, tha lektorja e Teorive Politike në Departamentin e Qeverisjes në “London School of Economics” në Londër, Lea Ypi, e ftuar në “Refleksione” në ABC. Ajo u shpreh se qytetarët nuk duhet ta shohin politikën si traumë,  por si një mënyrë për të kuptuar se ku jetojmë, që të realizojmë si duhet angazhimin tonë,  të ndërtojmë dialogjet për çështjet tona politike dhe ekonomike, për pjesëmarrjen tonë në hartimin e ligjeve, duke ndërtuar kështu një angazhim më të drejtë.

“Për sa kohë ne përpiqemi të ndryshojmë jetën tonë, jetën e fëmijëve tanë, ne e kemi detyrë të kemi shpresë. Nëse shpresojmë mund të angazhohemi në mënyrë më konkrete me hartimin e ligjeve apo me zgjedhjen e politikanëve, që t’i përballojmë problemet tona në mënyrën më të duhur.  Nuk jam me ata që ecin me idenë se Shqipëria është një vend që nuk bëhet , apo që vetëm duhet të ikim sa më parë nga Shqipëria, apo të mendojmë se do ecim  vetëm kur të futemi në BE, apo duke na ndihmuar SHBA. Ne duhet të përpiqemi  për me mënyrën se si të fitojmë autonominë tonë, individuale dhe atë shoqërore. Unë besoj se ne mund ta ndërtojmë identitetin tonë, se e bëjmë vetë veten tonë dhe se gjithsecili mund të zbulojë dalëngadalë forcën në rrënjët që ka, në historinë e familjes dhe vendit të tij”, tha Ypi, duke shtuar se hapi i parë është që gjithkush të ndërtojë ura besimi dhe shprese.

Profesoresha e Teorive Politike vuri theksin te kriza e identitetit që ka pësuar shoqëria shqiptare për shkak të sistemit të shkuar në diktaturë dhe pasigurive që sjell një sistem i mbështetur në teoritë liberale, në iniciativën e lirë. “Procesi i kërkimit të vetes te ne e ka këtë vulë dyzimi, që ndikon te rritja e skepticizmit, te rritja e pyetjeve dyshuese. Eshtë shumë e vështirë për dikë që kalon nga një sistem diktatorial në një sistem tjetër që të besojë lehtë atë që i thuhet. Kjo në një farë mënyrë është një traumë, por mund të jetë edhe një fat, pasi na bën ta shohim veten në mënyra të ndryshme dhe të bëjmë pyetje që s’do i bënim dot nëse do kishim jetuar vetëm brenda një kornize ideologjike dhe ekonomike”, tha Ypi

Ndërkaq, ndryshe nga profesori i shkencave politike, Fitim Zekthi, apo filozofi Klementin Mile, të cilët e shohin socializmin si një utopi që “mashtron me barazinë”,  Ypi këmbëngul se liberalizmi ashtu dhe socializmi, si teori politike, kanë në themel  të tyre liritë njerëzore.

“Thuhet shpesh që liberalizmi i kushtohet lirisë ndërsa socializmi barazisë. Unë mendoj se kjo është e gabuar si nga ana historike ashtu edhe nga rrënjët intelektuale të dy teorive. Socializmi, të paktën si filozofi politike, ka ardhur si një kritikë e sistemeve liberale, që ka treguar se si dhe ku sistemet liberale dështojnë për t’i vënë në praktikë liritë individuale. Fjala demokraci nënkupton vullnetin e popullit, ose nënkuptonte vullnetin e shumicës në Greqinë e lashtë. Por sistemet moderne e kanë rikonceptualizuar demokracinë. Në fund të fundit, dëshira për demokraci – dhe unë nuk jam dakord që demokracia është një mit- është një ideal shumë i rëndësishëm, që ka të bëjë me mënyrën se si ne përfaqësohemi nga ligji- kur paguajmë taksat, kur paguajmë gjobat, kur dallojmë mes heqjes së lirisë dhe lirisë reale”,  tha Ypi në “Refleksione”.

Ajo foli edhe rreth debatit lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE. “Është e rëndësishme të kuptojmë se, si hapësirë kulturore dhe gjeografike Shqipëria është e shkuara e konflikteve të Europës, e marrëdhënieve eruopiane. Por, nëse jemi apo jo gati t’i bashkohemi BE-së, unë mendoj se debati është i dyanshëm. Unë besoj se vlerat njerëzore janë universale, por institucione të ndryshmë i realizojnë ose jo në lidhje me qytetarët e tyre. Pra, nga ana e vlerave universale, kthimi i tyre në të mira për qytetarët ka mungesa si në Shqipëri ashtu dhe në vendet e BE-së. Qasja më e mirë ndaj BE-së, unë besoj është ajo e dhënies së  besimit  nga institucionet europiane për të ardhmen tonë, por edhe të qenurit e tyre kritikë ndaj atyre institucioneve që kanë nevojë për përmirësim”, tha Ypi./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!