“Le të kalbet në burg,” vejusha ukrainase s’e mban dot veten ndërsa sheh vrasësin e të shoqit në sy

schedule12:11 - 19 Maj, 2022

schedule 12:11 - 19 Maj, 2022

Duke parë vrasësin e tij në sy, një ushtar rus i ri rus 21-vjeçar, Katerina Selipova nuk mund ta besonte që burri i saj u vra në mënyrë aq të padrejtë. Ushtari rus Vadim Sisimarin e pranoi dje para trupës gjykuese në Kiev se është fajëtor, dhe se i ka marrë jetën një 63-vjeçari të paarmatosur ukrainas Oleksandr Selipov.

Ai tha se po ndiqte urdhrat e superiorit. Kujtojmë se ajo e djeshmja ishte seanca e parë gjyqësore për krime lufte në Ukrainë që nga nisja e pushtimit rus.

Rreshteri nga Irkutsk-u i Siberisë, rrëfeu se e qëlloi Selipovin me një kallashnikov nga dritarja e hapur e një makine të vjedhur ndërsa ai po ngiste një biçikletë pranë shtëpisë së tij në fshatin Tsupakhivka, më 28 shkurt.

Ushtari rus e qëlloi katër herë në kokë burrin fatkeq. 21-vjeçari deklaroi se njëri prej ushtarëve “urdhëroi të akuzuarin të vriste civilin në mënyrë që të mos raportonte” vjedhjen e makinës. Vdekja e Selipov ishte e menjëhershme, pak metra larg shtëpisë së tij.

Duke folur për Daily Mail, Katerina Selipova tha: “Për 39 vite burri im ishte një njeri paqësor, një pensionist që nuk përbënte kërcënim për rusët.”

Duke parë në gjykatë vrasësin e të shoqit, ajo pohoi se “duket si fëmijë, por do të marrë dënimin”. Përveç kësaj, ajo e cilësoi vdekjen e burrit të saj si absurde.

“E di që është ushtar dhe zbaton urdhrat, por pse nuk qëlloi në tokë apo në ajër? “Ai do të duhet të kalbet në burg dhe të kalojë pjesën tjetër të jetës duke menduar për atë që ka bërë. “

Ajo shtoi gjithashtu se nuk ndjen “urrejtje” për vrasësin e të shoqit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!