Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se përpjekjet e Bashkimi Europian për të ndërmjetësuar një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, kanë dështuar. Lavrov theksoi se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që po përpiqen të krijojnë ushtrinë e Kosovës.
Përpjekjet e Bashkimit Europian për të ndërmjetësuar një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, kanë dështuar. Është kjo deklarata e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë presion për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Shefi i diplomacisë ruse u shpreh se është e qartë se përpjekjet kanë dështuar pasi Prishtina refuzon të implementojë të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri tani. Ministri i Jashtëm rus i referohet vecanërisht marrëveshjes për krijimin e asocaconit të komunave serbe në veri të Kosovës.
Lavrov tha se përpjekjet e Prishtinës për krijimin e ushtrisë përbën shkeljen më të rëndë të rezolutës 1244 të këshillit të sigurisë së OKB-së. Ministri i Jashtëm rus deklaroi se Rusia ka mirëpritur vendimet e disa vendeve të cilat kohët e fundit kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij Rusia do të vazhdojë të mbështesë vendimet që do të merren nga këshilli i sigurisë së OKB-së në të ardhmen, duke iu referuar sidomos respektimit të Rezolutës 1244, sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë: Të gjitha hapat duhet të hidhen në përputhje me këtë rezolutë, përfundoi Lavrov./abcnews.al