Laschet apo Söder – cili do të jetë kandidat i CDU/CSU për kancelar?

schedule09:38 - 10 Prill, 2021

schedule 09:38 - 10 Prill, 2021

Kush do të jetë kandidati i partive CDU/CSU për kancelar në zgjedhjet federale – Armin Laschet apo Markus Söder? Vendimi do të merret së shpejti.

Kandidati i partive simotra CDU dhe CSU ka shanse të mira që të bëhet edhe kancelar i Gjermanisë. Në  rreth 72 vitet e ekzistencës së Republikës Federale të Gjermanisë, ky vend është drejtuar nga një kancelar i CDU-së për 51 vjet. Edhe tani, partia e Angela Merkel është ende e para në sondazhe, rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve.

Pandemia Corona ende përcaktuese

E megjithatë gjithçka është ndryshe. Pandemia dhe menaxhimi i dobët i qeverisë kohët e fundit kanë bërë që partitë konservatore të shënojnë rënie në sondazhe. Disa deputetë u detyruan të japin dorëheqje pasi u pasuruan nga blerja e maskave.

Dhe mbi të gjitha: pas 16 vitesh kancelarja Angela Merkel do të tërhiqet nga politika. Ajo nuk do të kandidojë përsëri në vjeshtë dhe pas vetes lë një parti të çorientuar. Kohët e fundit, këto parti kanë pasur mbështetje të 26-28 përqind të të anketuarve në sondazhe. Të Gjelbrit janë fare pranë tyre. Për krahasim: Në zgjedhjet federale 2017, kampi i Merkelit mori 32,9 përqind të votave. CDU dhe CSU qeverisin në një koalicion me Socialdemokratët (SPD).

Deutschland | Ministerpräsidentenkonferenz trifft Bundesregierung

Dy kandidatë nga lande të ndryshme

Dy burra konsiderohen favoritë për kandidaturën për kancelar. Të dy aktualisht janë kryeministra në landet e tyre. Armin Laschet, kryetar i CDU-së nga janari i këtij viti, është edhe kryeministër i Renanisë Veriore-Vestfalisë.  Ndërsa Markus Söder, kryetari i partisë simotër CSU, qeverisë në Bavari. Parimisht vlen parimi që nëse kryetari i partisë CDU dëshiron të kandidojë për kancelar, atëherë nuk mund ta evitojë askush kandidaturën e tij, sepse CDU ekziston në 15 lande, ndërsa CSU vetëm në Bavari. Por kësaj radhe kandidatura nuk do të jetë automatike.

Söder me një kurs më të qartë në pandemi

Markus Söder ka një rrugë të qartë në pandemi. Ai gjithmonë qëndronte dhe qëndron pranë kancelares, e cila angazhohet për kufizime më të ashpra dhe është skeptike ndaj lehtësimeve të tanishme. Këtë kurs e mbështesin akoma shumica e gjermanëve. Në një intervistë në televizionin ZDF, Söder tha se të gjithë angazhohen për votat e Angela Merkelit. E ai që do t’i ketë votat e saj, duhet të bëjë një politikë të afërt me te.

Deutschland Markus Söder Coronavirus Plenarsitzung Bayrischer Landtag

Laschet dhe pandemia

Një fjalë e qartë kundër Armin Laschetit: Ai ishte një nga ithtarët e lehtësimit të masave gjatë krizës së Coronës, veçanërisht në verën e vitit 2020. Tani shefi i ri i CDU-së kërkon ashpërsimin e masave për një kohë të shkurtër, siç kërkonin Söder dhe Merkel. Por paqëndrueshmëria në politikën e tij e dëmton imazhin e Laschetit. Merkel e ka kritikuar personalisht politikën e Laschetit gjatë një interviste në ARD, kur tha se “një politikë e tillë nuk më bën të lumtur”.

Në sondazhe Söder në epërsi

Njerëzit në Gjermani ia besojnë më shumë Söderit postin më të rëndësishëm në Gjermani. Në një sondazh nga instituti YouGov në mes të marsit, 41 përqind e të anektuarve mbështesnin Söderin, e vetëm 14 përqind ishin në favor të Laschetit. Tek votuesit e partive të Unionit, Söder ishte në epërsi të qartë me 63% deri, ndërsa Laschet kishte vetëm 12 përqind.

Markus Söder ka qenë i përmbajtur një kohë të gjatë në pyetjet nëse do të kandidojë për kancelar. Ai tërë kohën thoshte se do të mbetet në Bavari. Por në prononcimet e fundit ka bërë të qartë se është i gatshëm të kandidojë për postin e kancelarit. Nuk është kurfarë befasie që Söder ka raporte të mira edhe me shumë ekologjistë, kohët e fundit në politikën ndaj ruajtjes së mjedisit, që mund ta ndihmojë kandidaturën e tij.

Deutschland | Armin Laschet | Ministerpräsident NRW

A do të ketë një vendim të përbashkët?

Nga radhët e deputetëve të Unionit dëgjohet se Laschet ende ka një përparësi të vogël në mesin e deputetëve. Por shtrohet pyetja, kush do të vendosë për kandidaturën për kancelar. Për momentin vështirë mund të mendohet se Laschet dhe Söder të arrijnë një marrëveshje miqësore për kandidaturën. Laschet deklaroi nga medi i javës: “Markus Söder dhe unë do t’i bëjmë një propozim kryesive të partive. Ne do të vendosim më pas se kush ka perspektivat më të mira për të fituar zgjedhjet”. Për momentin, më shumë shanse për fitore ka Markus Söder.

Gjermania para sfidave të mëdha

Por edhe nëse fitojnë, konservatorët janë para sfidave shumë të mëdha. Pas 16 vitesh Merkel, CDU dhe CSU janë zbrazur në aspektin programor. Kancelarja Merkel është tërhequr nga energjia bërthamore dhe ka hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Të dyja këto ishin elemente thelbësore konservatore.

Merkel kaloi periudhën më të gjatë në zyrën e kancelarisë. Ajo përjetoi krizën e euros dhe krizën financiare, politikën e refugjatëve dhe tani një pandemi të paparë deri tani. Gjermania tani ka deficite të mëdha në dixhitalizim, po lufton kundër racizmit dhe dallimeve në shoqëri, e duhet ta përmirësojë edhe mbrojtjen e klimës. Këtë fundjavë, Söder, Laschet dhe Merkel janë mysafirë në takimin e mbyllur të drejtuesve të grupit parlamentar të partive të Unionit – një mundësi e mirë për të dhënë më shumë qartësi në pyetjen se cili do të jetë kandidati për kancelar./DW