Mario Mandzukic është largimi i parë i Milanit. Sulmuesi kroat ka lajmëruar ndarjen me kuqezinjtë me anë të një postimi në “Instagram”. 35-vjeçari u bë pjesë e kuqezinjve në merkaton e janarit, por problemet fizike nuk e lejuan të japë kontributin e tij.
Asnjë gol i shënuar dhe vetëm 286 minuta aktivizim në total mes kampionatit dhe Europa League. Mandzukic falënderon Milanin për këtë aventurë dhe shpreh lumturinë që skuadra e famshme italiane u rikthye në Champions League.
“Ishte kënaqësi të luaja për AC Milan. U jam mirënjohës drejtuesve të klubit që më dha mundësinë, stafit trajner për punën e tyre të përkushtuar dhe shokëve të mi të skuadrës, të cilët nuk janë vetëm lojtarë të shkëlqyeshëm, por një grup i madh djemsh.
Jam i lumtur që kemi arritur ta kthejmë këtë klub të shkëlqyeshëm në Champions League ku i takon dhe i uroj të gjithëve në klub vetëm të mira në të ardhmen“, shkruan nënkampioni i botës me Kroacinë. /abcnews.al