Deklarata e kancelares gjermane Merkel që konfirmoi se nuk do të rikandidojë më as për postin e kryetares së kristiandemokratëve dhe as për kancelarinë dhe pse pritej, ka lënë pas shumë pikëpyetje. Por ajo që shqetëson më shumë është se çfarë do të ndodhë me Europën pas largimit të një nga zërave më të fuqishëm.
Të gjithëve do u mungojë Angela Merkel. Gjermanëve që e kanë pasur kancelare që nga viti 2005, të cilët kaluan të paprekur krizën më të madhe ekonomike të një shekulli; por dhe europianëve që e kanë parë të bënte gjënë e duhur kur në kohën e duhur, pa lënë mundësi për alternative. Qoftë më krizën financiare greke, ashtu dhe në atë të refugjatëve të vitit 2015. Tashmë që ajo paralajmëroi largimin gradual nga pushteti edhe pse ritmi nuk mund të parashikohet, Merkel sërish qëndron si një figurë e rëndësishme në historinë politike të këtij mijëvjeçari.
Moderne dhe anti-ideologjike në pragmatizmin e saj ndoshta pa vizion, shprehen analistët, por pikërisht për këtë arsye ajo ka qenë në gjendje të përballet me një sfidë të re gjithmonë. Si dhe të bëjë zgjedhje të befasishme dhe vendimtare. Ashtu si ndodhi brenda një nate, kur pas incidentit në Fukushimë, ajo përmbysi 30 vjet politikë energjitike të kristiandemokratëve, duke mbështetur mbylljen graduale të centraleve bërthamore gjermane. Gjithashtu ajo përdori gjithë forcën e saj për arritjen e marrëveshjes botërore për reduktimin e emetimit të gazrave.
Angela Merkel do i mungojë skenës politike në Europë. Jo sepse emri i saj lidhet me një projekt mbështetës për integrimin ambicioz dhe vizionar, ashtu si ai i mentorit të saj Helmut Kohl. Por sepse në kohët e populizmit dhe nacionalistëve në ngritje, Merkel mbajti të bllokuar busullën e vlerave që janë në origjinë të projektit.
“Duhet të më premtosh diçka, menjëherë: nuk do të vendosim asnjë barrierë”, i tha ajo liderit socialdemokrat Sigmar Gabriel, i cili ndodhej në kancelari atë natë Shtatori për një takim urgjent, në një moment që qindra mijëra emigrant ndodheshin në kufijtë e Gjermanisë. Sot është e lehtë të thuash që të gjitha problemet nisën pikërisht nga ky vendim. Por pa këtë të fundit, dhe pse jo i mirë shpjeguar dhe pa një plan të vërtetë ekzekutimi, Europa do të kishte humnbur shpirtin e saj.
Mungesa e Merkel, do të vihet re edhe në shkretëtirën e lidershipit apo qëndrimit politik që ekziston sot në skenën politike botërore. Kur të largohet nga posti i kancelares në vitin 2021, ashtu si do të dëshironte ajo, do të mungojë modestia e saj, aftësia për të qetësuar debatet, por dhe këmbëngulja dhe kokëfortësia përballë burrave të pushtetit.
Janë të shumtë ata që lidhin karrierën e Merkel me atë të Helmut Kohl, pasi dhe ky i fundit nisi të largohej duke humbur fillimisht kontrollin e partisë së tij. Tashmë e ardhmja e saj do të varet nga ai që do e zëvendësojë. Aleksandru Filip, politolog në Shkollën e Qeverisjes në Berlin mendon se Merkel është vetësakrifikuar dhe mund të largohet nga skena shumë më përpara se viti 2021, kur dhe i përfundon mandati i kancelares. Rezultatet zhgënjyese të zgjedhjeve federale në Hesen, dy javë pas atyre negative në Bavari, tronditën thellësisht kristiandemokratët, duke bërë që Merkel të deklarojë prerë se nuk do të rikandidojë si kryetare partie dhe as si kancelare: “Nuk kam lindur kancelare dhe këtë nuk do ta harroj asnjëherë!”
Sipas politologëve skenarët e mundshëm janë dy. I pari është ai ku CDU të zgjedhë një kryetar që historikisht mund të jetë e kundërta e Merkel si Jans Spahn apo Fredrik Merc, të dy të krahut të djathtë. Është variant më i besueshëm, por njëkohësisht do të ishte prova që partia nuk e ndjek më. Kryetari i ri mund të shkundë partinë nga brenda dhe në të njëjtën kohë të bëjë që socialdemokratët të braktisin koalicionin qeverisës duke dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme. Por do të ishte përballë një rreziku të madh pasi pavarësisht çdo gjëje, Merkel është ende lideri politik më popullor për gjermanët. Duke iu kundërvënë mund të rezultojë një bumerang.
Skenari i dytë parashikon zgjedhjen e një personi në gjendje për të mbledhur e për të vazhduar rrugën e bërë nga kancelarja emri në këtë rast do të ishte sërish ai i një gruaje: Annegret Kramp-Karrenbauer, që nga janAri i kaluar në postin e Sekretares së Përgjithshme të partisë, e zgjedhur nga Merkel. Në këtë rast Merkel mund të vendoste të tërhiqej nga pritja për përfundimin e mandatit duke i lënë asaj dhe postin e kancelares. Do të ishte një kalim i butë pushteti dhe në gjendje për të shpëtuar aleancën me socialdemokratët. Nga ana tjetër këta të fundit e dinë mirë se po të shkonin në zgjedhje në këto moment do të merrnin akoma më pak vota se në vitin 2017.
Merkel i kishte premtuar partisë së saj se në rast rezultatesh negative do të jepte dorëheqjen; por nëse vërtet njëri nga të dy emrat Spahn e Merc do të zgjidhej në krye të kristiandemokratëve, Merkel nuk do të mund të qëndronte më në krye të qeverisë. Në këtë rast do të kishte zgjedhje të parakohshme, ose njëqeveri minorance me socialdemokratët pa ministra, por sidoqoftë në mbështetje të temave kryesore të marrëveshjes fillestare të koalicionit qeverisës. Por situata aktuale në radhët e CDU-së sjell në vëmendje një ngajrje të ngjashme: në fund të viteve ’90 Helmut Kohl u reduktua në minorancë brenda partisë së tij ndërkohë që mbante ende postin e kancelarit. Ironi e fatit ndoshta, por ai rebelim në atë kohë drejtohej pikërisht nga Angela Merkel.
Në kongresin e kristiandemokratëve në Dhjetor të këtij viti, pas 18 vitesh do të zgjidhet një emër i ri për kryesimin e partisë dhe Merkel kështu i jep lamtumirën një karriere të shkëlqyer politike. Njëkohësisht ajo përgënjeshtroi zërat sipas të cilëve synonte presidencën e Komisionit Europian apo të ndonjë posti tjetër brenda Bashkimit Europian. Pra, kur koalicioni qeverisës në Gjermani të përfundojë, do të ketë përfunduar dhe epoka e Merkel… në të gjitha kuptimet e saj.
Ishte viti 2005 kur pas dorëheqjes së kancelarit socialdemokrat Gerard Shrëder, kur gruaja e parë në krye të qendrës së djathtë gjermane që deri atëherë njihej si “Vajza e Kohl”, garonte për kancelarinë. Nga katër qeveritë që ka drejtuar, tre ishin koalicione me kundërshtarët politikë: socialdemokratët dhe vetëm një me liberalët e FDP, aleatët natyrorë për konservatorët në Gjermani. Pikërisht kjo bashkëjetesë e vazhdueshme dhe e domosdoshme politike në qeveri mes dy partive kryesore, çoi gradualisht të majtën gjermane drejt kolapsit elektoral. Por shkaktoi dhe një humbje të vazhdueshme identiteti të botës konservatore, një pjesë e së cilës doli nga CDU që në vitin 2013. Duke i dhënë jetë në këtë mënyrë partisë: Alternativa për Gjermaninë, një parti që me kalimin e viteve ka marrë një qëndrim gjithnjë e më radikal dhe euroskeptik.
Në planin europian, aftësitë e Merkel në lidership, dolën në pah pas shpërthimit të krizës financiare botërore, kur në Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama ishte i hutuar pasi nuk arrinte të kuptonte se kë të telefononte në Europë për t’u lidhur me një përfaqësues të vetëm të gjithë Bashkimit Europian. Në këtë mënyrë ish-presidenti amerikan vendosi t’i besonte Berlinit, duke gjetur tek Merkel një partner të besueshëm dhe të vendosur.
Në këtë moment nis dhe faza e krizës së borxheve sovrane. E para shpërthen në Greqi në fillim të 2010-s, kur qeveria e re e socialistit Papandreu pranon se deficiti efektiv i Athinës tejkalon 15 për qindëshin e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një lajm shokues për tregjet, në një kohë që vendi humbet besimin e investitorëve, dhe duhet një plan i shpejtë për t’i lejuar që të vazhdojë rifinancimin. Kancelarja gjermane nuk vendosi deri në momentin që atëherë presidenti francez Nikolas Sarkozi, gjatë një mbledhje europiane dramatike në muajin Maj, i bën të qartë se Gjermania duhej të pranonte të shpëtonte Greqinë, në rast të kundërt Franca do të dilte nga zona euro.
Merkel pranon të ndihmojë grekët, por me kushtet e saj: asistencë financiare të drejtuar nga Trojka, komiteti i tre kreditorëve të përbërë nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Skela përdoret dhe për Irlandën dhe Portugalinë, ndërsa Spanjës do i mjaftonte heqja e sistemit bankar të 2102-s. Pra rasti i Greqisë do të rezultonte një tragjedi në planin ekonomik, financiar dhe social. Ende sot vendi ka një Prodhim të Brendshëm Bruto më të ulët se ai i 2007-s. Ndërkohë kriza e besimit në monedhën euro godet dhe Italinë në vitin 2011, duke detyruar qeverinë e ish-kryeministrit Berluskoni të japë dorëheqjen, e fundit e qendrës së djathtë në vend, duke shkaktuar tensione politike që rezultuan në bumerang për pjesën tjetër të Europës.
Pikërisht në këtë fazë Merkel nga njëra anë del në pah për këmbënguljen e saj në respektimin e rregullave për monedhën e përbashkët sidomos në planin fiscal. Dhe nga ana tjetër për paaftësinë në hedhjen e hapave përfundimtarë për të bërë euron një union monetar të kompletuar. E vetëdijshme se nuk e ka nga partia e saj mandatin për të reformuar zonën euro dhe për t’i dhënë fund krizës së besimit tek tregjet, kancelarja i imponon pjesës tjetër të zonës euro planin “Fiskal Kompakt”, një plan për reduktimin e borxheve sovrane deri në 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm brenda 20 viteve.
Popullariteti i Merkel është i lartë në Gjermani deri në vitin 2015, ndërsa në pjesën tjetër të Europës ajo cilësohet si e hidhur dhe e paaftë për të shkuar përtej llogaritjeve ekonimike dhe për të kuptuar plotësisht dinamikën e krizës financiare në vendet e Bashkimit Europian. Ndërkohë ekonomia gjermane lulëzon, me papunësinë që është në minimum që nga ribashkimi i dy Gjermanive, eksporti është në kulmin e tij dhe llogaritë publike janë aktive.
Por popullariteti i Merkel fillon rënien e lirë kur ajo vendos të hapë kufijtë për një milion refugjatë pa kushte. Një vendim i marrë për të lehtësuar presionin tek shtetet e tjera si Austria dhe Hungaria, të cilat kërcënonin me mbylljen e kufijve dhe rivendosjen e kontrolleve për t’i dhënë fund në këtë mënyrë zonës Shengen. Merkel kupton se nëse një gjë e tillë ndodh atëherë do të rrezikohej mbijetesa e Bashkimit Europian, e cila mbështetet ndër të tjera pikërisht tek lëvizja e lirë e personave. Por ky është dhe fillimi i fundit të saj politik. Gjermanët, veçanërisht ata që e kishin votuar më parë, nuk e mbështesin këtë vemdim dhe votat për të dhe partinë e saj shënojnë një rekord negative historik.
Por mes gabimeve strategjike të kancelares nuk mund të mos përmendet ai i Brexit. Qeveria e Dejvid Kamerun i kërkoi Brukselit negociata për përmbushjen e disa kushteve që do i lejonin Mbretërisë së Bashkuar të qëndronte në Bashkimin Europian. Duke i dhënë fund një debati të brendshëm që vazhdonte prej një kohe të gjatë. Por komisionerët europianë, pikërisht për shkak të presionit të Berlinit nuk janë aspak të butë. Duke bërë që Londra në 23 Qershor të 2016-s, me dëshirën e 52 për qind të britanikëve, të vendosë për largimin nga Bashkimi Europian. Ndërkohë euroskepticizmi bëhet realitet në të gjithë shtetet e tjera, me Francën ku Marin Le Pen që vetëshpallet si anti–Merkel e Europës, të rrezikojë fitore. Macron në fakt arriti vetëm në balotazh të fitonte, por në këtë rast ishte e qartë se një pjesë e mirë e francezëve nuk kanë më besim në Bashkimin Europian. Në 2018-n zgjedhjet parlamentare në Itali konfirmojnë fitoren e forcave euroskeptike. Lind qeveria e parë anti–BE, e krijuar nga Lega dhe Lëvizja Pesë Yjet.
Çfarë Europe po lë pas krahëve Merkel? Në krahasim me kohën kur ajo hidhte hapat e parë si drejtuese e qeverisë gjermane, kontinenti i vjetër aktualisht nuk është shumë i bashkuar dhe i mbushur me keqkuptime në planin politik. Kur presidenti francez Macron propozoi një vit më parë një reformë të zonës euro që të shkonte në drejtimin e një integrimi më të madh fiskal dhe politik në zonën euro, reagimi i qeverisë gjermane ishte i ftohtë dhe negativ. Por duhet pranuar se Merkel e gjeti veten në pozicionin e vështirë për të shpëtuar dekada projektesh politike dhe ekonomike që ende rrezikojnë të zhduken. Pasi ndodhen përballë mendimit sovranist nga një anë dhe nga përplasjet ekonomiko-financiare mes shteteve anëtare nga ana tjetër.
Merkel duhet të kuptojë se si të gjithë ata partnerë europianë që i qëndruan pranë, u ndëshkuan nga votuesit. Kështu ndodhi për presidentin francez, Sarkozi, në vitin 2012, dhe akoma më keq shkoi për pasardhësin e tij Hollande. Por dhe Mario Monti dhe qeveritë e Partisë Demokratike në Itali patën të njëjtin epilog. Analistët mendojnë se karriera e saj ishte patjetër ajo e një lidershipi, por dhe një rast i humbur për ta bërë Europën një projekt politik domethënës dhe jo vetëm një përzierje kufizimesh e legjislacionesh që depërtojnë në çdo aspect të jetës së gjysëm miliardi qytetarësh./abcnews.al