Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi ka reaguar pas largimit të Besa Shahinit nga qeveria dhe zëvendësimin e saj me Evis Kushin. Vokshi shprehet se mësuesit po presin qeverisjen e vendit nga PD për ngritjen reale të pagave të tyre, për një trajtim dinjitoz dhe per arsim cilësor në shkolla dhe universitete.
“A është më mirë arsimi në vitin e 8-të dhe të fundit të qeverisjes së Edi Ramës? Demokratë dhe socialistë kanë të njëjtën përgjigje: Jo! Nuk ka rëndësi si quhet ministrja e Arsimit, Lindita, Besa, Evis. Secila është pasqyrë e dështimit të Edi Ramës me arsimin. Investimet në arsim janë me pikatore, sepse Edi Rama mashtroi qytetarët. – Ai jo vetëm mashtroi me financimin prej 5% të prodhimit të brendshëm bruto në arsim, por e uli çdo vit fondin duke e cuar Shqipërinë në vendin e fundit në rajon.
– Shkollat sot janë më keq, ato jo vetëm nuk i përgjigjen zhvillimit të teknologjisë, por pjesa më e madhe e tyre me infrastrukturë të degraduar. Nuk bëhet fjalë për tabletat, apo laboratorët modernë të premtuar në shkolla që nuk kanë as kushtet më minimale, as ujë të rrjedhshëm.
– Mësuesit janë cdo ditë nën presion politik, drejtuesit e shkollave janë militantë partiakë. Kjo ka ulur ndjeshëm cilësinë në shkolla.
– Siguria në shkolla është ulur. Në to janë fshehur edhe krime monstruoze vetëm për të mos dëmtuar imazhin e qeverisë.
Në 7 muajt e mbetur deri në prill, Ministrja e re e Arsimit, ka 2 detyra në të cilat paraardhëset e saj kanë dështuar:
1-Të sigurojë testimin e të gjithë mësuesve, shpërblimin e tyre për vështirësinë e punës dhe kushte minimale anticovid në shkolla.
2- Të mos i bindet shefit të saj në ikje për të përdorur mësuesit në zgjedhje.
Mësuesit po presin qeverisjen e vendit nga PD për ngritjen reale të pagave të tyre, për një trajtim dinjitoz dhe per arsim cilësor në shkolla dhe universitete” shkruan Vokshi.