Largimi i Amerikës nga Afganistani, do të inkurajojë xhihadistët në mbarë botën

schedule12:19 - 30 Gusht, 2021

schedule 12:19 - 30 Gusht, 2021

The Economist

Kur e merr detyrën një president i ri në SHBA, udhëheqësit e vendeve të tjera futen në një garë se kush do të jetë i pari që do të bisedojë me të në telefon. Kur talebanët pushtuan Kabulin, pati një nxitim të ngjashëm për të folur me Abdul Ghani Baradar, fytyra publike e udhëheqjes së grupimit militant afgan.

Fituesi i kësaj gare ishte Ismail Haniyeh, udhëheqësi i Hamasit, grupit islamik që kontrollon aktualisht Rripin e Gazës. Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Hamasit në internet,thuhet se Haniyeh e përgëzoi Baradar për fitoren e tij kundër “pushtimit amerikan” të Afganistanit.

Ai tha se kjo fitore do të jetë“një prelud i vdekjes së të gjitha forcave pushtuese, mes të cilave edhe atyre që kanë pushtuar Palestinën”. Po sipas deklaratës,Baradar u përgjigj në të njëjtën mënyrë, duke i uruar Hamasit “fitore dhe fuqizim si rezultat i rezistencës së tyre”.

Shkëmbime të tilla diplomatike u shoqëruan me një festëtë madhe edhe nga xhihadistët e tjerë. Në provincën siriane të Idlibit, e pushtuar aktualisht nga Hajat Tahrir Al-Sham, një grupim që mendohet se ka lidhje me Al-Kaedën, grupin që organizoi sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001, luftëtarët mbajtën një paradë dhe u shpërndanë banorëve bakllava.

Tre ditë feste u shpallën edhe në zonat e Somalisë Jugore të kontrolluara nga Al-Shabab, një tjetër degë e Al-Kaedës në Afrikë. Në mediat sociale xhihadistët nga e gjithë bota, ndanë meme që festonin fitoren e talebanëve. Amerika dhe aleatët e saj e pushtuan Afganistanin më 7 tetor 2001.

Osama bin Laden, organizatori i sulmeve të 11 Shtatorit, jetonte atje nën mbrojtjen e talebanëve, të cilët u siguronin gjithashtu ndjekësve të tij të Al-Kaedës pajisje trajnimi.

Amerika u kërkoi talebanëve dorëzimin e tij; por këta të fundit refuzuan.

Brenda disa javësh forcat anti-talebane u dëbuan nga Kabuli me ndihmën e forcave ajrore dhe tokësore amerikane.Që nga ajo kohë, Amerika nuk ka pësuar asnjë sulm terrorist të të njëjtave përmasa. Dhe sot Al-Kaeda është një hije e asaj që ishte dikur.

Osama bin Laden u vra në Pakistan në vitin 2011. Frika nga një fund i ngjashëm, nëpërmjet dronëve apo forcave speciale, i detyron pasardhësit e tij qëtë jetojnë të fshehur, gjë që i ndërlikon shumë operacionet e tyre. Ayman Al-Zawahiri, egjiptiani që u bë udhëheqësi i Al-Kaedës pas vdekjes së Bin Laden, nuk është parë prej gati 1 vit.

Qoftë nga frika e vdekjes, ose sepse mund të ketë vdekur. Ndërsa degët si Al-Shabab e kanë festuar fitoren e talebanëve, organizata qendrore e Al-Kaedës nuk ka thënë asnjë fjalë. Por islamizmi xhihadist i dhunshëm që ai nxiti nuk është mposhtur.

Anëtarët e Al-Kaedës dhe grupet e tjera xhihadiste, janë aktive në konfliktet jo vetëm në Pakistan dhe Lindjen e Mesme, por në Sahelin afrikan dhe në Indi, Indonezi, Malajzi, Tajlandë dhe Filipine. Jo të gjithë ata që e përqafojnë këtë etiketim, e shohin veten si pjesë e një lufte globale.

Shumë prej tyre janë më të fokusuar tek“armiku i tyre të afërt” sesa tek “armiku i largët”, që është Amerika dhe aleatët e saj perëndimorë. Gjithsesi edhe lufta kundër armiqve të afërt sjell ende vuajtje, shkatërron banesa, dhe i detyron njerëzit të braktisin tokat e tyre, duke u bërë refugjatë.

Pra ato krijojnë destabilitet. Aftësia për të kryer sulme si ai i 11 Shtatorit, është me sa duket i kufizuar nga një cilësi më e mirë dhe një shkëmbim më efektiv i informatave nga shërbimet sekrete, nga presioni mbi financat e organizatave të tilla, si dhe nga një mori sulmesh vdekjeprurëse me dronë.

E megjithatë doktrinat xhihadiste, vazhdojnë që të frymëzojnë sulme nga xhihadistët e vetmuar në Amerikë dhe Evropë, edhe pse aktualisht jo me atë ritëm që u pa në mesin e viteve 2010.

Dhe lufta kundër xhihadizmit përfshin ose vepron si një pretekst për çdo lloj abuzimi me të drejtat e njeriut, kryesisht në Kinën Perëndimore, ku ajo përdoret si një justifikim për shtypjen sistematike të ujgurëve dhe grupeve të tjera kryesisht myslimane.

Ndërsa ideologjia xhihadiste ka fituar një përkrahje gjithnjë e më të madhe, vendet perëndimore kanë dërguar trupa, këshilltarë dhe para në gjithnjë e më shumë vende. Kundër-terrorizmi dhe “lufta ndaj ekstremizmit të dhunshëm”, janë shndërruar një industri me vete në mbarë botën.

Në vitin 2020, SHBA-ja kishte mbi 7.000 trupa aktive të stacionuara në dhjetëra vende afrikane, plus misione stërvitore në 40 vende të tjera, me fokusin kryesor islamizmin militant. Rikthimi i talebanëve në pushtet në Afganistan, është padyshim momenti më triumfal për xhihadistët që kur Shteti Islamik përfitoi nga pakënaqësia e sunitëve, për të krijuar në 2014 një “kalifat” në Irakun Perëndimor dhe Sirinë Lindore.

Ai akt frymëzoi shumë sulme terroriste në Evropë dhe Indonezi. Por në një farë mënyrë kjo fitore është edhe më e madhe. Kjo pasi për herë të parë që nga humbja e Bashkimit Sovjetik në Afganistan në vitin 1989, islamikët kanë marrë në dorëzim një vend nga një superfuqi e madhe.

“Të gjithë të tjerët po thonë:Uau, nëse ata djem mundën ta bëjnë këtë, mund t’ia dalim edhe ne”- thotë David Kilcullen, ish-ushtar dhe ekspert kundër terrorizmit në Akademinë Ushtarake të Forcave të Mbrojtjes Australiane në Kanbera.

“Ata janë të mahnitur dhe të impresionuar nga ajo që kanë arritur talebanët”- thotë Mina Al-Lami, që monitoron vazhdimisht mediat e përdorura nga islamikët e dhunshëm për programin “BBCMonitoring”. Se çfarë do të thotë kjo në praktikë, do të varet nga mënyra se si shkojnë gjërat në Afganistan.

Por origjina, besimi i tyre i përbashkët, madje edhe përkrahja e përbashkët e një qëllimi të lartë dhe taktikave barbare, nuk i bën xhihadistët e gjithë botës pjesë të një fronti të bashkuar. Luftëtarët në Irak që themeluan ISIS-in, e bënë këtë pasi ata e konsideruan Al-Kaedën si shumë të butë.

Ndërkohë dega afgane e ISIS, ka zhvilluar prej vitesh në një luftë të egër ndaj talebanëve në Afganistanin Lindor. Ajo ishte një nga grupimet e pakta islamike, që nuk shprehu ndonjë admirim pas rënies së Kabulit. Përkundrazi i denoncoi talibanët si “servilë të amerikanëve”.

Dhe armiqësia është e ndërsjellë.

Ekzekutimi i vetëm që kanë pranuar se e kanë kryer talebanët që kur rimorën nën kontroll vendin, ishte i Abu Omar Khorasani, udhëheqësit të ISIS në Azinë Jugore. Kilcullen nuk është i vetmi që druhet se talebanët mund të lejojnë shndërrimin sërish të Afganistanin në një bazë për xhihadistët e tjerë.

Në marrëveshjen e negociuar me SHBA-në në Doha vitin e kaluar, talebanët u zotuan se nuk do të strehonin më Al-Kaedën, dhe as të mbështesin kauzën e saj ndërkombëtare. Por nuk e mbajtën në asnjë rast këtë premtim.

OKB vlerëson se në Afganistan gjenden të paktën 400-600 anëtarë të Al-Kaedës, shumica të strehuar nga talebanët. Sirajuddin Haqqani, numri 2 i talebanëve, drejton një degë gjysmë-autonome të quajtur rrjeti Haqqani, që ndër të tjera, ka shërbyer si një lidhje e Al-Zawahirit me talebanët.

Talebanët nuk kanë gjasa të dëshirojnë që dikush të fillojë të planifikojë sulme ndaj Amerikës ose Evropës. Ose me siguri jo menjëherë. “Tani për tani Al-Kaeda ruan një profil të ulët për shkak të udhëzimeve nga talebanët afganë”-thotë Asfandyar Mir nga Universiteti i Stenfordit. Por ndryshimi i regjimit në Afganistan, mund të përhapë xhihadin në objektivat më të afërta. Një shqetësim të veçantë përbën Pakistani. Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP), një grup xhihadist, që zakonisht quhet si talebanët pakistanezë, zhvilloi një luftë të ashpër në Afganistan në vitet 2007- 2014, kur në përgjithësi u arritën të sprapsen.

Por pasi u rigrupua, TTP, shumë anëtarë të së cilit janë të lidhur me Al-Kaedën, i kanë shtuar kohët e fundit aktivitetet, me120 sulme terroriste në Pakistan vetëm vitin e kaluar, dhe 26 muajin e kaluar. Rikthimi i talebanëve në pushtet në Afganistan, e ka trimëruar jo pak TTP,që tani mund të furnizohet akoma më mirë për të ndërmarrë sulme të reja.

Vetë qeveria pakistaneze i ka mbështetur prej kohësh talebanët në mënyra të ndryshme. Ajo do ta mirëpresë dobësimin e ndikimit të Indisë në Afganistan. Militantët afganë që ajo mbështet në Kashmirin e administruar nga India, mund të nxiten nga talebanët të rikthehen në Hindu Kush.

Ndërkohë, një fluks direkt materialesh apo luftëtarësh që mund të përhapet nga Afganistani në konfliktet përtej Azisë Jugore, duket më pak i mundshëm. Degët e Al-Kaedës në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, mund të jenë themeluar vërtet nga burra që luftuan në Afganistan, por ata kanë sot më pak lidhje direkte me këtë vend.

Gjithsesi largimi i Amerikës nga Afganistani, do të jetë një nxitje e madhe morale për xhihadistët. Kjo mund të jetë veçanërisht e vërtetë në konfliktet ku të huajt janë përfshirë, duke mbajtur në anën e qeverisë. Leksioni është:Vazhdoni të luftoni, pasi në fund të huajt do të dorëzohen dhe do të largohen, edhe nëse kanë qenë atje për dekada të tëra. Dhe atëherë do të fitoni. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Marrë me shkurtime