Nga Christian Esch, Der Spiegel
Lanfranco Cirillo e shoh të ulur para kompjuterit të tij me pantallona të shkurtra dhe me një këmishë po me mëngë të shkurtra. Në Dubai është vapë,dhe ai do të shkojë të lahet në det. Arkitekti, që kaloi shumë vite duke dizenjuar në stilin italian vilat e reja të super të pasurve të Moskës, u largua para shumë kohësh nga Rusia e ftohtë.
Ai madje e ka mbyllur edhe studion e tij të arkitekturës atje. Por njerëzit në Rusi nuk e kanë harruar punën e Cirillo. Kjo pjesërisht falë politikanit të opozitës Alexei Navalny dhe filmimeve të dokumentar në YouTube “Një pallat për Putinin”.
Subjekt i videos është një rezidencë luksoze në bregun e Detit të Zi, për të cilën Navalny pretendon se u ndërtua për presidentin Putin nga miqtë e tij. Video është parë deri tani 113 milion herë, dhe sipas sondazheve nga të paktën çereku i rusëve. Por kush është arkitekti i pallatit? Lanfranco Cirillo.
“I pasur” është fjala që përdor vetë Cirillo për ta përshkruar projektin. “Në aspektin arkitektonik, nuk është projekti më i madh apo më i mirë që kam bërë. Është një stil neoklasik i bukur. Si arkitekt, unë ndërtoj atë që dëshiron klienti”- thekson ai.
Në fjalët e tij duket sikur Cirillo dëshiron të distancohet dhe shfajësohet për atë projekt. “Por në aspektin estetik, është shumë i bukur duke pasur parasysh edhe përmasat. Nuk është tepruar, por natyrshëm është luksoz, siç duhej të ishte. Dhe ne përdorëm materiale shumë të mira. Unë jam krenar për punën time. Doli një rezidencë shumë e mirë, Made in Italy”-thotë ai.
I pasur është gjithashtu termi që përdorin shumë rusë për të përshkruar dekorin. Pallati përmban një disko me pishinë, një shisha bar, një sallë të madhe vallëzimi, një teatër etj. Që të gjitha këto shfaqen në dokumentarin investigativ të Navalny, të rindërtuara me përpikëri në kompjuter,sipas planeve të arredimit të mësuara nga punëtorët që punuan atje.
Duke folur përmes plaformën Zoom nga Dubai, ai thotë se sigurisht që i ka parë edhe filmimet e Navalny. Gjithashtu e konfirmon faktin që planet për mobilimin e pallatit duket të jenë autentike. Ai thotë se edhe rindërtimi 3-D është kryesisht i saktë, edhe pse jo në çdo detaj.
Nga ana tjetër, Cirillo mendon se gjithçka tjetër që thuhet në video është e pa vërtetë. Ai pretendon se resorti buzë Detit të Zi nuk është as spektakolar, dhe as nuk është ndërtuar për Putinin apo ndonjë nga individët që përmendet në dokumentar.
Cirillo thotë se nuk e kupton zhurmën që ka shpërthyer mbi atë ndërtesë. Ai thotë se Rusia ka probleme më të mëdha, sesa një projekt tashmë12 vjeçar. Dikush mund të përpiqet që ta tregojë historinë e pallatit në Gelendzhik me fjalët e Cirillo në vend të Navalny, por rrëfimi mbetet i paplotë, me shumë paqartësi.
Me mënyrën e tij miqësore, Cirillo lë pa përgjigje disa pyetje.“Në atë kohë, kishte pak të huaj që mund të flisnin rusisht, dhe që mund të përfundonin projekte të gatshme. Ne nuk po ndërtonim shtëpi, por po shisnim një mënyrë jetese”- thotë italiani. Ai thotë se historia fillon në vitin 2007 – 2008.
Cirillo ishte bërë i njohur në Moskë si arkitekt. Ai kishte shkuar aty në fillim të viteve 1990 si përfaqësues i kompanisë italiane të“Mascagni”, dhe u vendos me banim atje, duke u angazhuar si një lloj mësuesi i stilit të jetës tek të pasurit e rinj.
Ai dizenjoi vila për njerëz si kreu i kompanisë së madhe të naftës “Lukoil”. Ai numëron me krenari 44 miliarderë në listën ruse të Forbes midis klientëve të tij, dhe se ka ndërtuar në Shën Petersburg, Londër, Paris dhe në brigjet e deteve të ndryshme. Pjesa më e madhe e punës së tij gjendet në Rubljovka, zona më ekstravagante e banimit në Moskën Perëndimore.
Ai thotë se ka marrë porosi të çmendura pasi “në Rusi, paguhesh që të jesh i çmendur” – një banjo e artë për një avion, një gardërobë e kontrolluar nga distanca, banjo të ndërtuara me gurë gjysëm të çmuar apo margaritarë, mobilie për jahte 100 metra të gjatë etj.
Ai punësoi 140 arkitektë dhe inxhinierë në zyrën e tij, duke i pritur klientët aty pa pasur nevojë për ndonjë reklamë në internet. Ndërkohë,jashtë klientelës së tij super të pasur, emri i Cirillos nuk ishte shumë i njohur në Moskë.
Arkitektët rusë vështirë se e njihnin,teksa ai vetë shfaqej rrallë në komunitetin italian të emigrantëve.“Në sytë e mi, Cirillo nuk është një arkitekt, por një tregtar i mobilieve të shtrenjta italiane”- thotë kritiku i shquar rus i arkitekturës Grigory Rezvin. Emri Cirillos u përmend për herë të parë publikisht në vitin 2010, pikërisht në lidhje me resortin misterioz Buzë Detit të Zi.
Një biznesmen i mirë-informuar mbi projektin, i shkroi një letër të hapur presidentit të atëhershëm rus Dmitry Medvedev,ku e informonte se po ndërtohej një pallat për Putinin pranë Gelendzhik me fonde të përfituara nga korrupsioni. Ai e vlerësoi koston totale në 1 miliard dollarë, duke theksuar se dizajni i brendshëm ipallatit ishte miratuar personalisht nga Putini dhe vënë në zbatim nga Cirillo.
Para se të pyetet për Putinin, Cirillo nxiton të thotë:“Unë nuk e kam parë kurrë presidentin në Gelendzhik, dhe nuk kam biseduar me të për këtë projekt”.Ai pretendon se klienti i tij ishte Stroygazconsulting, një kompani në pronësi të biznesmenit jordanez Ziad Al Manaseer.
Ai thotë se u kontraktua për të dizenjuar godinën dhe ambientet e brendshme, por nuk ishte përfshirë në procesin e ndërtimit. Në atë kohë, Stroygazconsulting ishte një nga disa kompanitë e ndërtimit, që fituan kontrata vërtet të mëdha ndërtimi nga kompania shtetërore
e energjisë Gazprom.
Pronari i Stroygazconsulting Manaseer kishte kontakte të ngushta me kreun e Gazprom Alexei Miller, një nga miqtë më të ngushtë të Putinit nga koha e këtij në Shën Petersburg.Por për cilin po e ndërtonte pallatin Stroygazconsulting? Cirillo nuk thotë asgjë. Por ai thekson
se godina nuk ishte menduar si një banesë private.
“Nuk është një vendbanim, është një vend ku mund të presësh mysafirë. Dhe jo vetëm një, por 20 deri në 30. Dhe pse duhet që Putini të zotërojë një vend kaq të madh për veten e tij? Për të është e hapur çdo derë në Rusi. Nëse ai dëshiron të shkojë në ndonjë vilë, gjithçka që i duhet është vetëm një telefonatë”- thotë Cirillo.
Gjithsesi është i çuditshëm fakti që rreth godinës ekziston një zonë e ndalimit të fluturimeve. FSO, shërbimi presidencial i sigurisë, ruan pallatin së bashku me agjencinë e shërbimit sekret FSB. Edhe anijet janë të ndaluara të lundrojnë në ujërat bregdetare përpara vilës.
Është gjithashtu e çuditshme që disa nënkontraktorë e përshkruanin punën e tyre, si kontribut për një rezidencë të administratës presidenciale. Dhe nëse Putini dyshohet në mënyrë të gabuar si pronar i saj, pse nuk ka folur personi që ka firmosur, duke e kursyer kësisoj Kremlinin nga një telash i panevojshëm?
Vetëm kohët e fundit, ish-partneri i Putinit në sportin e xhudos, Arkady Rotenberg, tha se pronari ishte ai, duke pretenduar se e bleu pallatin “disa vjet më parë” për ta përshtatur si një hotel. Por ai nuk tregoi asnjë dokument që e vërteton pretendimin e tij.
Cirillo thotë se e ka vizituar pallatin 20 deri në 30 herë, edhe pse siç pretendon ai, nuk ishte i përfshirë në procesin e ndërtimit. Ai thotë se ishte vetëm përgjegjës për dizajnin, dhe më vonë për dekorin dhe orenditë, dhe se herën e fundit ishte atje në pranverën e vitit 2014.
Ekipi i Navalny thotë se e gjeti emrin e Cirillos në regjistrin e pronave në Gelendzhik. Aty thuhet se për një periudhë ai ishte pronar i një prone buzëdetit. Navalny pretendon se shtëpia ishte një shpërblim për punën e tij. Tek e fundit, është “e dobishme të ruash sekretet e Putinit”.
Por Cirillo e konsideron qesharake këtë akuzë. “Unë kam 3 vila në Porto Cervo në Sardenja. Unë nuk jam një njeri i varfër, dhe nuk do të shkelja ligjin për vetëm disa qindra mijëra dollarë”- thotë ai. Në vitin 2014, Cirillo mori shtetësinë ruse me dekretin e firmosur nge vetë presidenti Putin, një nderim ky i pazakontë.
Por Cirillo thotë se kjo ka të bëjë me përfshirjen e tij në tërësi në Rusi , dhe jo me projekte individuale. “Unë nuk jam arkitekti i Putinit. Do të ishte mirë të isha, por kjo nuk është e vërtetë. Nga ana tjetër është sigurisht që kam pasur mundësi ta takoj”-thotë ai. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al