Lamtumirë Maks Velo! Përcjellja e heshtur e artistit siç nuk e meritonte

schedule19:53 - 8 Maj, 2020

schedule 19:53 - 8 Maj, 2020

Shtëpinë ku jetoi artisti Maks Velo, e ka pllakosur heshtja. Miqtë e tij besnikë pëllumbat që e shoqëronin edhe gjatë aktit krijues vazhdojnë ende të qëndrojnë si dëshmitarë të shpirtit të lirë mbi çati.

Artisti u përcoll për në banesën e fundit  përmes një ceremonie të thjeshtë organizuar nga Bashkia e Tiranës, për shkak të situatës  së pandemisë. E Motra Roza pasardhësja e vetme dhe disa miq të ngushtë i dhanë lamtumirën artistit.

Arti për të ishte fymë lirie, që i kushtoi shtrejtë me 10 vite burg. Historia e jetës së Maks Velos, arkitekti që u nda nga jeta në 7 maj është ndoshta një simbol se si funksiononte komunizmi duke shkatërruar shoqërinë deri në bërthamën më të fortë e të shenjtë, atë të familjes.

I denoncuar nga ish-gruaja dhe miqtë e tij ai u arrestua dhe përfundoi në burg dhe iu shkatërruan më shumë se 200 vepra arti nga regjimi diktatorial.

Në një nga rrëfimet e tij në media pas viteve ’90 ai ka rrëfyer se u njoh dhe u dashurua me një vajzë, që vetëm pas martesës do të zbulonte se ishte agjente e Sigurimit të Shtetit dhe faktori kryesor në dënimin e tij 10 vjeçar.

“Lidhja  e shkrimtarëve ishte burgu i artistëve”, do të shkruante  Velo  pas botimit të dosjes së ish sigurimit të shtetit në librin  “Jete paralele”

Pas botimit të pastelave të  viteve ‘60 shpëtuar nga djegia, dy ishin spirancat e shpresës për t’ia rinisur, rrëfeu 8 vite me parë  Velo.

Ngjyra ishte melodia e tij krijuese. Ndërsa portreti sprova e piktorit. Nudot e vonuara i ekspozoi  në janarin e vitit 2019 ne galerinë FAB.

Kontributi i Maks Velos në arkitekture është i çmuar, e ku Shoqata e Arkitekteve një vit më parë e nderoi me çmimin “Mjeshtër i Madh”

“Është një humbje e madhe për komunitetin e arkitektëve, por edhe për të gjithë shqiptarët”, thotë Armando Vokshi.

Ai eshte arkitekti i pallatit të artistëve, ku u kritikua për stilin kubist, tashmë shtëpia studio Kadare ka hapur dyert për vizitorët

Një premtim për kthimin e shtëpisë së tij në muze e bëri gjatë ceremonisë së lamtumirës Erjon Veliaj

 “Si komshi të jetër do bëjmë shtëpinë muze, tek lagjia jone te ‘Hoxha Tasim’, i kam kërkuar Shkrelit dhe Andonit të bëjnë një inventar të të gjitha punëve. Siç jetoi me dinjitet, të kthejmë edhe veprat në dinjitet”, u shpreh Veliaj.

Artan Shkreli është i bindur se do të filloi një rivlerësim i  veprës së Maks  Velos. “Maksi për secilin nga ne përveç kujtimeve dhe veprës që ka lënë pas, tani fillon një mënyrë dhe rivlerësim i veprës së Maksit”, thotë ai.

Ben Andoni e cilëson si një model të qytetarit të angazhuar. “Maksi është prapë i gjallë dhe modeli i tij i madh, i qytetarit të angazhuar është një motiv për të gjithë ne”, thotë ai.

Artisti Maks Velo jetoi me art dhe për artin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!