“Lamtumirat janë të hidhura”, Bare pas largimit nga Espanyol: Faleminderit për 4 vite të paharrueshme

schedule15:56 - 29 Qershor, 2024

schedule 15:56 - 29 Qershor, 2024

Tashmë gjithçka është zyrtare, Keidi Bare nuk është më lojtar i Espanyol, me klubin spanjoll që ka zyrtarizuar mesditën e së premtes largimin e fierakut, i cili e ka veshur fanellën e Espanyol në 119 ndeshje, përgjatë katër sezoneve të fundit, duke qenë një lojtar kyç në mesfushon e “Bardhekaltërve” katalunjas, me këta të fundit, që në deklaratën e tyre e kanë cilësuar Baren, si “luftëtar” i palodhur, si dhe një shembull i sakrificës dhe i përkushtimit.

Pasi mbylli gjithçka me skuadrën spanjolle, Bare ka bërë edhe një “mesazh lamtumire”, teksa me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar, në “Instagram” u shpreh se do të jetë gjithmonë një tifoz i Espanyol, teksa shtoi se ka kaluar plot 4 vite të paharruara te “Bardheblutë” e Katalonjës.

“Lamtumirat janë zakonisht të hidhura, por unë do të përpiqem të mbaj gjërat e mira. Siç e dini tashmë shumë prej jush, për fat të keq nuk do të vazhdoj me Espanjolin, sepse kjo është ajo që ata kanë vendosur. Kanë qenë katër vite shumë intensive. Shumë momente të bukura, për shembull ky sezoni i fundit ku arritëm të ngjiteshim në La Liga, por edhe të tjera të komplikuara, si ato të përjetuara këtë sezon.

Largohem me kokën lart që e kam lënë skuadrën aty ku e meriton, në elitën spanjolle, por mbi të gjitha sepse kam dhënë gjithçka në çdo minutë që e kam mbrojtur këtë fanellë në fushë. Është mënyra ime për të kuptuar futbollin dhe shpresoj që ju tifozë të Espanyol të më mbani mend kështu, si një luftëtar që ka thyer gjoksin për mburojën e Espanyol.

Dua të falënderoj trajnerët dhe stafin teknik, shokët e skuadrës, punëtorët e klubit… Por mbi të gjitha, ju falënderoj tifozët që më bëni të ndihem kaq i dashur dhe të ndjej mbështetjen tuaj të pakushtëzuar në çdo moment. Këtu keni një tifoz më shumë. Faleminderit “Pericos” për katër vite të paharruara”,- shkruan Bare, në postimin e tij.

Ndërkaq, kujtojmë se ditët e fundit është përfolur se Bare mund të transferohet në Pire, aty ku “gjigantët” grek të Olympiacos kanë filluar të kërkojnë përforcime për sezonin e ardhshëm, ku do të kërkojnë titullin kampion në Greqi, si dhe do të luftojnë për një vend mes më të mirave të Europa League, por jo vetëm pasi 26-vjeçarin e kërkojnë edhe në Spanjë, me skuadrat e Leganes dhe Rayo Vallecano, që janë vënë pas “Legjionarit”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!