Aventura e Armando Sadikut te Bolivar nuk shkoi ashtu siç pritej dhe zgjati fare pak. Më 28 janar i befasoi të gjithë duke u transferuar në Bolivi, por aventura latine përfundoi dy gola të shënuar në kampionat.
30-vjeçari (38 ndeshje dhe 12 gola me kombëtaren shqiptare) vendosi në bashkëpunim me drejtuesit e Bolivar ndërprerjen e kontratës. Sadiku ka zyrtarizuar largimin nga Bolivar me një postim në rrjetet sociale, aty ku nuk mungojnë fjalët e bukura.
“Sot është dita e lamtumirës. Një periudhë e shkurtër por shumë intensive po përfundon, në një klub që më priti me krahë hapur që ditën e parë që mbërrita këtu.
I jam mirënjohës Bolivarit që më dha mundësinë të luaj dhe të njoh këtë vend të bukur dhe njerëzit e tij. Një pjesë e zemrës time do të jetë gjithmonë me ju.
Ju uroj gjithë të mirat. FALEMINDERIT!“, shkruan sulmuesi shqiptar, i cili pritet të rikthehet në futbollin spanjoll te Las Palmas. /abcnews.al