Lamtumira për Mbretëreshën, Charles falenderon britanikët dhe gjithë botën për mesazhet

schedule08:34 - 19 Shtator, 2022

schedule 08:34 - 19 Shtator, 2022

Mbreti Charles ka falenderuar njerëzit në Britani dhe në mbarë botën për mesazhet e mbështetjes që ka marrë pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth.

Funerali zyrtar i Elizabeth do të bëhet sot në Westminster Abbey, duke i dhënë fund një periudhe zie 10-ditore gjatë së cilës qindra mijëra njerëz i bënë nderimet e tyre monarkes së Britanisë, e cila ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare.

“Gjatë 10 ditëve të fundit unë dhe gruaja ime jemi prekur thellësisht nga mesazhet e shumta të mbështetjes dhe ngushëllimit që kemi marrë nga ky vend, por edhe nga e gjithë bota”, tha Charles.

“Në Londër, Edinburg, Hillsborough dhe Cardiff ne jemi prekur kaq shumë nga të gjithë ata që kanë ardhur për të nderuar shërbimin e përjetshëm të nënës sime të dashur dhe mbretëreshës së ndjerë.”

“Ndërsa përgatitemi për të thënë lamtumirën tonë të fundit, do të doja të përfitoj nga ky rast për të falënderuar të gjithë njerëzit e panumërt që kanë qenë një forcë mbështetjeje dhe inkurajimi për familjen time dhe mua në këtë kohë pikëllimi”, shton deklarata.

Pas ceremonisë në Westminster Abbey, siç raporton APE-MBE, arkivoli mbretëror do të zhvendoset në Ëindsor, ku më pas do të varroset pranë bashkëshortit të saj prej 73 vitesh, Princit Philip.

Varrimi mbretëror do t’i japë fund një periudhe zie kombëtare në Britani, megjithëse periudha e zisë së familjes mbretërore do të vazhdojë edhe për shtatë ditë të tjera. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!