Lambda, varianti i ri i koronavirusit ka shqetësuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për shkak të mutacioneve disi “të pazakonta”.
Lambda, i njohur si C.37, u zbulua për herë të parë në Peru në dhjetor 2020 dhe është përhapur në 27 vende (në Europë). Varianti tani përbën rreth 82% të rasteve të reja në Peru, nga 50% në muajin mars dhe vetëm 0.5% në fund të vitit të kaluar.
Në Kili, Lambda tani përbën pothuajse një të tretën e rasteve të reja të reja të Covid-19, sipas Financial Times. Peruja ka vdekshmërinë më të madhe në botë për shkak të Covid-19, megjithëse shkencëtarët nuk janë ende të sigurt nëse mutacionet e Lambda janë më ngjitëse apo më vdekjeprurëse.
“Për momentin nuk ka asnjë provë që është më agresiv se variantet e tjera. Ekziston mundësia që varianti të ketë një shkallë më të lartë transmetueshmërie, por nevojiten më shumë hulumtime,” tha Dr. Jairo Mendez Rico i Organizatës Shëndetësore.
Lambda, konsiderohet më pak shqetësues sesa katër variantet e tjera Alpha, Beta, Gamma dhe Delta që janë zbuluar fillimisht në Britani, Afrikë të Jugut, Brazil dhe Indi përkatësisht. Më 23 qershor, Zyra Britanike e Shëndetit Publik tha se nuk ka asnjë provë që Lambda shkakton simptoma më të rënda ose që i bën vaksinat më pak efektive. s.ba/ abcnews.al